Fatos Tarifa: Eksodi intelektual në kohë dhe hapësirë
(Botuar me 24 Korrik 1994 në KOHA JONE)
Nga Fatos Tarifa-
Në literaturën sociologjike, por edhe në gjuhën e përditshme, gjithnjë e më shumë përdoret sot termi “Brain drain”, i cili edhe pse anglisht është ndërkombëtarizuar për të shënuar një dukuri sociale në përmasa alarmuese, pothuaj për të gjithë vendet, si të zhvilluara, ashtu dhe të pazhvilluara. Termi “Brain drain” është i ri, por dukuria që ai shënon: migrimi i fuqisë mendore apo eksodi intelektual, është po aq i vjetër sa edhe vetë qytetërimi Perëndimor. Shkaqet e këtij migrimi në shekuj kanë qenë të ndryshme, përfitimet që kanë njohur vendet që e kanë tërhequr eksodin intelektual kanë qenë të pallogaritshme, ndërsa pasojat që kanë ndjerë vendet e viktimizuara, pra ato vende prej nga intelektualët janë larguar në mënyrë masive, kanë qenë, shpeshherë, rrënuese. Në histori janë të njohura disa periudha në të cilat “Brain drain” ka qenë një dukuri tepër tipike e me përmasa të jashtëzakonshme. “Brain drain” i parë që mbahet mend në qytetërimin perëndimor ka ndodhur gjatë sundimit të Ptolemeut 1 në Aleksandri, kur një numër i madh intelektualësh emigruan këtu nga Athina të joshur nga atmosfera tërheqëse që sundonte në oborrin e Ptolemeut, nga biblioteka e tij e mahnitshme, nga muzeu dhe observatori i famshëm. Në atë periudhë, kushtet në të dy vendet, si në atë që e humbiste trurin, në Athinë, ashtu dhe në atë që e fitonte atë, në Aleksandri, kanë qenë tepër karakteristike. Athina nuk u mëkëmb më kurrë pas eksodit më të madh intelektual të saj. Migrimi masiv i intelektualëve nga Kostandinopoli në Europë u bë një faktor që ndikoi fuqishëm e drejtpërdrejtë në ringjalljen kulturore të Evropës, në shembjen e sistemit e të botkuptimit sundues të mesjetës, në zhvillimin e humanizmit të Rilindjes Evropiane. Emigrantët nga Kostandinopoli krijuan qendra të mëdha të mësimit, së pari në Padova, pastaj në Oksford, pra, Heilderberg dhe në shumë qytete të tjera. Gustav Arlt shkruan se pa këtë eksod intelektual nga Kostandinopoli, “vështirë të imagjinohet se si do të kish rrjedhur historia e mëvonshme e Europës”. Dihet gjithashtu se Amerika është vendi që ka përfituar më shumë se cilido vend tjetër, nga disa “Brain Drains” të përmasave më të vogla, por, gjithsesi të rëndësishme në shekullin e 19-të. Veçanërisht pas revolucionit demokratik në Prusi më 1848, disa mijëra intelektualë gjermanë emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ky “Brain drain” masiv përfitimi më i madh që njohën SHBA-të ishte sistemi i arsimit publik fillor e të mesëm. Në fillim të shekullin XX, emigrimi më masiv i intelektualëve nga Evropa, kryesisht në Amerikë, është ai që u kushtëzua nga ardhja në fuqi e Hitlerit, e që filloi më 1930 e vazhdoi deri pas vitit 1938. Pasojat e tij qoftë për Amerikën, qoftë edhe për Gjermaninë apo dhe tërë Evropën ishin dhe mbeten të pallogaritshme. Mjafton të përmendim vetëm se dështimi i Gjermanisë për të krijuar armët atomike erdhi kryesisht për shkak të humbjeve të mëdha të truve, të mendjeve më të shquara në shkencë që ajo pësoi. Përpjekjet e SHBA, në të kundërt u ndihmuan jashtëzakonisht nga qindra e mijëra shkencëtarë të shquar emigrantë të ardhur nga Evropa, ndër të cilët mjaft të përmenden dy: Albert Ajnshtajn dhe Enriko Fermin. Vitet pas Luftës së Dytë Botërore e në veçanti vitet 1960 do të shënonin një periudhë të re në historinë intelektuale, në të cilën “Brain drain” u shndërrua në një dukuri të përbotshme. Tashmë “trutë” do të migronin jo vetëm nga India, Kina e Bashkimi Sovjetik për në vendet më të zhvilluara të Perëndimit, por edhe nga vetë Anglia, Gjermania, Franca, Suedia, Holanda, Japonia, Austria, Italia e të tjerë, kryesisht për në Amerikë, si për të provuar thënien e Robert Mats Namarës se “trutë janë si zemrat – ato shkojnë atje ku i çojnë”. Vetëm gjatë një dhjetëvjeçari (midis mesit të viteve 60 dhe mesit të viteve 70), në SHBA emigruan vetëm nga Anglia aq mjekë sa Universiteteve Amerikane do t’u duhej të paktën 20 vjet t’i përgatisnin. SHBA më mirë se cilido vend tjetër do të vlerësonin dhe adoptonin si filozofi të zhvillimit politik, ekonomik e social të tyre thënien e Uinston Çërcillit se “perandoritë e së ardhmes janë perandoritë e mendjes”. Vendet e Evropës Lindore kanë qenë vazhdimisht gjatë këtij gjysmë shekulli të fundit një burim i eksodit intelektual. Të nëpërkëmbur, të mospërfillur e të ndjekur nga regjimet komuniste në fuqi, shumë intelektualë evropianë-lindorë, shkencëtarë, artistë dhe shkrimtarë të standardeve botërore, janë larguar në Perëndim, ku talenteve të reja u është hapur një horizont shumë më i gjerë. Ky eksod intelektual nga vendet e Evropës Lindore vazhdon edhe sot, pas shembjes së komunizmit si sistem, madje për shkak të lirisë së qarkullimit të njerëzve ky eksod është shndërruar sot në një hemorragji të pandalshme. Hungaria dhe Polonia, dy nga vendet më të zhvilluara të Rajonit, vlerësohet të kenë humbur respektivisht afro 50 për qind dhe 30 për qind të intelektualëve të tyre në fushat e kërkimit shkencor e të veprimtarisë artistike.
Një dukuri e ngjashme vihet re edhe në Shqipëri. Në shkurt 1993, sipas një studimi të kryer në institucionet qendrore të arsimit të lartë, në Institutet e Akademisë së Shkencave, në klinikat mjekësore të Tiranës dhe në institucione të tjera kërkimore-shkencore të vendit, rezultonte se eksodi intelektual (vetëm në disa kategori intelektualësh krijues), kishte arritur në masën 14 për qind. Po të vazhdoje në këto përmasa “Brain drain” do t’i shkaktojë ekonomisë, shkencës dhe kulturës sonë kombëtare dëme të pariparueshme. Preokupimi për humbjet që shkakton eksodi intelektual veçanërisht për vende të vogla e pazhvilluara, është i madh kudo. Sidoqoftë, vetë problemi është tepër kontradiktor. Nga njëra anë, pranohet se individi, shkencëtari apo artisti, ka një detyrim moral ndaj vendit të tij që e ka përgatitur për t’i shërbyer atij: nga ana tjetër, liria për të zgjedhur vendin ku ai do të jetojë dhe do punojë është një e drejtë themelore e çdo individi, aq më tepër kur vendi mëmë nuk i siguron atij kushte optimale për ushtrimin dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe talentit të tij, pa përmendur rastet kur ky individ lihet i papunë. Nga të gjithë pranohet se “humbja e truve”nga një vend, po të shihet cështja në perspektivë, është një humbje më e madhe se humbja e kapitaleve. “Trutë”janë kapitali më i madh i një vendi. Veçanërisht në kohën e sotme, dija dhe talentet njerëzore janë shndërruar në një resurs kombëtar po aq, madje edhe më të rëndësishëm se dhe vetë toka apo pasuritë minerale të një vendi.
FATOS TARIFA