Fatura e tërmetit, Preçi: Nuk përjashtohet mundësia për rritje taksash
Fatura e tërmetit do të rëndojë mbi xhepat e shqiptarëve. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, nuk përjashton mundësin e rritjes së taksave si një opsion për të përballuar koston e lartë të dëmeve, ndërsa propozon anulimin e kontratave koncesionare PPP në funksion të rindërtimit.
”Nuk përjashtohet mundësia e rishikimit të taksave, ashtu sikurse opsioni më i favorshëm për Qeverinë është rritja e mëtejshme e borxhit publik”.
Preçi është mosbesues mbi vendimin e qeverisë për heqjen e TVSH-së për lëndët e para që do të përdoren për ndërtim, pasi sipas tij do të përkthehen në më pak të ardhura për arkën e shtetit.
”Ka dy rreziqe, nga një anë rreziku i matshëm i pakësimit të të hyrave buxhetore për këtë shkak. Nga ana tjetër është edhe rreziku që, për shkak të nivelit shumë të madh të informalitetit, të keqpërdoren masa të tilla, domethënë të ketë kanal për të rrjedhë paraja publike, pra për të mos u mbledhur taksat siç mund të mblidheshin në kohë normale”.