Faturat e energjisë, reagon administratori i “Alpo TV”
Petro deklaroi sot se: “Si administrator “Alpo Tv” jam i përgjegjshëm për deklaratën që po jap sot dhe deklaroj se nuk është bërë kurrë asnjë vjedhje nga ana jonë e energjisë elektrike, le të faktojmë me dokumente e me fakte çdo akuzë që na drejtohet”. Sipas tij, “nuk disponojmë asnjë lloj kontrate energjie me emër “Alpo Tv” dhe as që ekziston në OSHE ndonjë kontratë me këtë emër, kontrata që lidh energjinë nga OSHE te “Alpo Tv” është në emrin tim Aristotel Petro, me nr. GJ1K0100630 35667 ,po ju tregojmë libër pagesën si dhe një kopje të marrë nga OSHE-ja të pagesave të dy viteve të fundit të cilat tregojnë likuidimet e kryera, si dhe shumën e paguar”.
Gjithashtu Aristotel Petro thotë se: “Ky rast nuk është gjë tjetër përveç se një politizimi që i bëhet këtij lajmi, për arsye që tashmë të gjithë i kuptoni. Nuk çuditem me shkrimin e personit Telnis Skuqi, sepse nuk është hera e parë që ai shpif e mashtron me shkrime të urdhëruara, por më vjen keq për ndonjë koleg i cili pa marrë informacion edhe tek i “akuzuari” shkon e publikon lajmet e rrema të këtij mashtruesi. Kërkoj nga organi i Prokurorisë të marrë në konsideratë këtë deklaratë dhe të nisi hetimet për mashtrimin dhe dëmtimin e qëllimshëm të biznesit tim nga personi Telnis Skuqi”.
Gazetari Telnis Skuqi është një korrespodent i “Rilindjes Demokratike” nga Gjirokastra, që u bë i njohur disa muaj më parë, pasi pretendonte se kishte parë dy avion të uleshin në Kardhiq duke u ngarkuar me drogë.