Faturat e reja, Denaj fton grupet e interesit për sugjerimet

Ministrja e Financave, Anila Denaj, fton të gjitha grupet e interesit dhe opinionin në tërësi, të japin komentet dhe sugjerimet e tyre për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Prej datës 1 gusht është hedhur për konsultim publik ky projektligj, i cili ka për synim krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale (gjenerata e re e kasave fiskale).

“Faza e konsultimit publik do të zgjasë deri në fund të muajit Gusht 2019, dhe ftojmë gjithashtu grupet e interesit të bëhen pjesë e tryezave publike që MFE do të zhvillojë në javët në vijim”, thekson Denaj. Ministrja shprehet se “reforma e fiskalizimit është një angazhim madhor i qeverisë shqiptare në përpjekje për të minimizuar ekonominë informale, përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave”. Ky projektligj synon: minimizimin (uljen) e niveli të ekonomisë informale; Përmirësimin e mbledhjeve të të ardhurave; Identifikimin më lehtë të evazionit; Bërjen e auditimit të taksave më kost-efiçent; Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë; Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin; Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Europian.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend. Administrata Tatimore do të ketë në dispozicion të dhëna të sakta dhe në kohë reale të cilat do të shërbejnë për një proces sa më të mirë planifikimi, menaxhimi, vlerësimi dhe vendimmarrës me qellim mireadministrimin tatimor.

Kjo zgjidhje ligjore e re kontribuon në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore, mbledhjen e tatimeve dhe krijimin e një mjedisi stimulues për biznesin. Projektligji përfshin edhe organet publike të cilat përcaktojnë procedura të tjera (për shembull: monitorimi i afateve të pagesës, përcaktimi i procedurës që mundëson kryerjen e pagesave më shpejtë, përcaktimi i masave për zbatim më të shpejtë të procedurës së falimentimit, evitimi i mbingarkesës me borxhe, monitorimi i transparencës përsa i përket faturimit në procedurat e prokurimit publik, në mënyrë që të rrisë efikasitetin, ulë korrupsionin dhe pengesat administrative.

SHKARKO APP