FBI arreston 6 zyrtarë të FIFA për rryshfete deri në 100 milion dollarë

 
Gjashtë zyrtarë të lartë të FIFA –s u arrestuan nga policia zvicerane për llogari të Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën akuzën për korrupsion. 8 të tjerë pritet të jenë nën akuzë gjithashtu dhe të paraqiten përpara gjykatës federale të Nju Jorkut.
Operacioni blic për kapjen e tyre u krye në Zyrih, ku drejtuesit e FIFA –s ishin mbledhur për të diskutuar mbi zgjedhjet e të premtes, në të cilat pritet që Sepp Blatter të mandatohet për një mandate të pestë.
Blatter nuk është mes të akuzuarve. Por mësohet se ai ishte mes atyre që ishin nën hetim. Hetuesit amerikanë i thanë CNN se hetimet vazhdojnë.
 
Rryshfete dhe shantazhe
 
Autoritetet nuk i bënë publike emrat e zyrtarëve të arrestuar. Por Zyra Federale e Drejtësisë në Zvicër tha se ata kishin pranuar rryshfete në vlerën e më shumë se 100 milionë dollarë nga vitet ’90 deri tani.
Në këmbim ata u siguronin të drejta mediatike dhe sponsorizime ndeshjeve të futbollit në Amerikën Latine.
Arrestimet janë rezultat i një hetimi 3 –vjeçar të FBI –së dhe po drejtohen nga Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch, e cila e kishte mbikqyrur këtë rast që në Bruklin, përpara se të emërohej kryeprokurore. Në krye të hetimit ka qenë edhe drejtori i FBI –së, James Comey.
Arsyeja përse hetimet u kryen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndron në faktin se pazaret ishin bërë në territorin amerikan.
"Sipas hetimeve të SHBA -ve, këto krime janë përgatitur në SHBA dhe pagesat janë kryer nëpërmjet bankave amerikane," tha Zyra Zvicerane e Drejtësisë.
FIFA ka refuzuar të bëjë komente.
Fifa ka qenë në qendër të hetimeve për korrupsion për vite me radhë.
Por organizata ka hedhur poshtë disa herë akuzat se zyrtarë të lartë ishin të përfshirë.
Në dhjetor, Komisioni Etik i FIFA-s tha se po e mbyllte hetimin e saj për korrupsion në procesin e konkursit për vendet mikpritëse të kupave të botës për vitet 2018 dhe 2022, të fituara nga Rusia e Katari. 
 
FIFA tha hetimi i tij nuk gjeti korrupsion dhe se nuk kishte më arsye për të rihapur konkursin.
Por FBI nuk mendonte kështu. Hetimet e amerikanëve u përshpejtuan kur ish prokurori amerikan Michael Garcia, i cili ishte thirrur nga FIFA për të bërë një hetim të brendshëm, u distancua nga dekratat e FIFA –s se nga hetimi nuk u gjetën prova për korrupsion.
Në vitin 2022 FIFA përjashtoi përjetë Mohamed bin Hammam, anëtarin e bordit të saj nga Katari, për thyerje të etikës

SHKARKO APP