FBI-ja shqiptare, 8 kandidatët nisin sot përballjen me “makinën e së vërtetës”

Nga 40 kandidatë, tani në garë janë vetëm 8. Nga kjo martë deri të premten, do të zhvillohet faza e testimit me makinën e së vërtetës (poligrafin) për 8 kandidatët që janë në garë për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Seancat do të zhvillohen pranë SHÇBA-së tek ministria e Brendshme dhe do të zgjasin nga 2 deri në 4 orë për çdo kandidat dhe testi do të bëhet për dy persona në ditë.

8 kandidatët

1-Aida Veizaj (Hanaj)
2-Ardian Çipa
3-Artur Beu
4-Ervin Hodaj
5-Gentjan Shehaj
6-Lindita Nushi
7-Idajet Faskaj
8-Ylli Pjetërnikaj

Testimi mbyllet të premten dhe më pas SPAK-u do të përzgjedhë një nga tetë garuesit për t’ia përcjellë KLP-së për ta emëruar kreun e ri të BKH-së. Sipas ligjit, kreun e BKH-së e zgjedh Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në listën e kualifikuar janë spikasin dy gra, mes tyre numri dy i Policisë së Shtetit Aida Veizaj (Hanaj). Makinës së të vërtetës pritet t’i nënshtrohet edhe Ylli Pjetërnikaj drejtues i komanduar i Prokurorisë Shkodër.

Pas testit të Poligrafisë, këto kandidatë do të bëjnë edhe intervistën dhe pastërtinë e figurës dhe integritetit. Kujtojmë se fillimisht nga lista me 40 kandidatë u përzgjodhën sipas kritereve 18 kandidatë. Më pas testin e logjikës dhe testin fizik e kaluan vetëm 8 prej tyre. Më pas kandidatët intervistohen nga Komisioni i Vlerësimit në SPAK.

Çfarë është makina e së vërtetës (Poligrafi) dhe si funksionon ajo?

Poligrafi bazohet mbi faktin se gënjeshtra provokon përgjithësisht ankth, që nga ana e tij modifikon parametrat fiziologjike, si presioni i gjakut, frekuenca kardiake, ritmi i frymëmarrjes e deri tek rezistenca e ndryshuar e lëkurës ndaj përcjelljes se rrymës elektrike.

Që në vitin 1913 është ndërtuar një makine e tillë, e cila ishte në gjendje që të gjitha këto parametra t’i përmblidhte në një raport grafik. Makina e të vërtetës, përdoret nga FBI-ja gjatë marrjes në staf të punonjësve të rinj por edhe gjatë pyetjes së dëshmitarëve për çështje tepër delikate.

Komisioni i ngritur përbëhet nga tre anëtarë, Kryetari i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, që pritet të mbajë dhe rolin e kryetarit të komisionit, si edhe dy prokurorë të tjerë të SPAK, Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër mbështetësit kryesor të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Po kështu grupi i 60 hetuesve të BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara.

SHKARKO APP