FBI-ja shqiptare/ Aida Hajnaj: Në dhjetor përfundojmë me testet. BKH gati në janar

Besnikëri, integritet, trimëri! Kjo është kryefjala në logon e BKH e publikuar për herë të parë sot para kandidatëve që u testuan në Pallatin e Kongreseve. Drejtoresha e BKH, Aida Hajnaj trego se çfarë ndodh pas këtij momenti. ”U përzgjodhën rreth 400 kandidatë që kalojnë në fazën tjetër dhe rreth 23 kandidatë nuk kanë kaluar në fazën tjetër”, tha ajo.

Kur do jetë gati BKH?

”Janë disa faza që duhet të kalojnë deri sa të arrijmë në fazën që të marrim 60 hetuesit, dhe mendojmë se deri nga fundi i dhjetorit duhet të jenë të përfunduara të gjithë fazat që duhet të kalojnë. Me parashikime mendojmë dhe duam që në janar të fillojë puna e BKH. Përqindja më e madhe e kandidatëve janë nga jeta civile ku ka dhe juristë dhe ekonomistë dhe informaticienë sepse të tilla karaktere kërkonte vetë ligji për të qenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pjesa e punonjësve të policisë është shumë e ulët në krahasim me pjesën civile. Tre elementet që duhet të përfaqësojnë hetuesit e BKH janë: trimëri, integritet dhe besnikëri”, tha për Top Channel, Hajnaj.

Kandidatët e parë për agjentë të FBI-së shqiptare u mblodhën në Pallatin e Kongreseve për të marrë përgjigjet e testit logjik. Nga 200 që kandiduan në listën fituese të testit logjikë janë 192 kandidatë. Pas kalimit të filtrit në bazë të aftësive dhe logjikës, kandidatët për anëtarë në Byronë Kombëtare të Hetimit, do të testohen edhe për fizikun e tyre.

Mësohet se për të kaluar në fazën e tretë do të bëjnë muskujt barku, sprint 300 metra; pompa toke dhe më pas kros për 2400 metra. Nëse i kalojnë të gjitha fazat do të mund të bëhen pjesë e organit më të ri të drejtësisë shqiptare. Ky proces do të monitorohet nga afër edhe nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve.

Gara është për 60 vende të Byrosë Kombëtare te Hetimit, strukturë e njohur si FBI-ja shqiptare. Është bërthama e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zyrtarëve të lartë.

SHKARKO APP