Fehmi Abdiu: Ndryshim Kushtetute? Rrëzoni marrëveshjen Rama-Berisha të 2008-ës

Fehmiu Abdiu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, deklaron për se nuk mund të ndryshohet Kushtetuta pa hedhur në fillim poshtë marrëveshjen Berisha-Rama të vitit 2008, e cila bëri të mundur zgjedhjen e Presidentit të Republikës edhe me 71 vota.

Abdiu, i cili drejton një institut studimesh, i ulur në një zyrë të vogël, në një pallat pranë Gjykatës së Tiranës, thekson se nuk mund të bëhen arnime të ligjit themeltar të shtetit kuturu dhe pa u zhvilluar një diskutim i gjerë publik.

“Ore po ç’janë këto arnime për LGBT-ra dhe ushtrira të huaja”, thotë konstitucionalisti i njohur, i cili thekson se Presidenti do të duhej të zgjidhej patjetër nga populli, përndryshe, sipas tij nuk do të kemi një situatë të qëndrueshme.

 “Drejtësinë nuk mund ta lëmë pa kokë dhe natyrisht që kryetari i Këshillit të Lartë i Drejtësisë duhet të jetë Presidenti; është krejt e natyrshme kjo pasi bëhet një kontroll pushtetesh; por nuk mundet që presidenti të zgjidhet me 71 vota, pasi ai nuk është garant i askushit”, thotë Abdiu për "tesheshi.com", i cili deklaron se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrën sa më të mirë.

Dhe më e mira, thekson ai është zgjedhja e një Presidenti nga populli i cili do të ishte një personalitet mbi palët që ka prestigj dhe mbështetje publike.

Ndërkohë, në lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm, Abdiu thekson se duhet vendosur kritere të sakta dhe të përcaktuara për zgjedhjen e tij, por sipas ish-kreut të Kushtetueses, kreu i organit të akuzës duhet të japë llogari në mënyrë permanente, si para Kuvendit por edhe në KLD dhe publik, në mënyrë që të mos ndodhë siç thotë ai si sot kur “Prokuroria merret me shkelës të vegjël të ligjit, e kur nuk kanë arrestuar asnjë zyrtar të lartë, kur këtu flitet për abuzime të mëdha, për ngjarje si 21 janari dhe Gërdeci, ndërkohë që nuk ka asnjë çështje të shkuar deri në fund”.

Ndërkaq, në lidhje me akuzat që i bëhen sistemit të Drejtësisë, Abdiu thekson se ka një realitet të përgjithshëm që pranohet në lidhje me një gjyqësor të korruptuar, por ky sistem Drejtësie thotë Avdiu është “pjellë e politikës shqiptare” e cila e ka krijuar këtë sistem, që në fakt është bërë shëmbëlltyra e politikës.

“Nuk mund të thuash që drejtësia u krijua vetë kështu, por u emërua nga politika, u krijua prej saj dhe mori shembullin e saj, duke i shërbyer dhe u bërë palë me të”, thotë Abdiu, i cili jep idenë e një rekrutimi gjyqtarësh duke i parë jo vetëm nga CV-të, por edhe nga integriteti moral i juristëve.

“Duhen gjendur mënyrat për ta bërë këtë llogaridhënie, por një gjë duhet të bëhet e qartë se llogaridhënia është e domosdoshme”, tha Abdiu.

SHKARKO APP