Feja në shkolla, Nikolla: Mësues historie, jo klerikë

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve ka thyer heshtjen duke u bërë pjesë e debatit sa i përket mësimit të feve në shkolla. Kështu, ministrja Lindita Nikolla foli sot rreth tij duke saktësuar se nuk bëhet fjalë për një vendim, por konsultime me ekspertët.

Sipas saj, projekti do të eksperimentohet në 10 shkolla pilot, dhe mësimi do të zhvillohet në klasat e gjashta të 9-vjeçareve dhe vitin e parë të shkollës së mesme.

“Nuk ka projekt-vendim, por nismë me ekspertët. Po operojmë me observatorin e laicitetit dhe diplomatët. Bëhet fjalë për të mësuar kulturat fetare. Lënda hyn si projekt pilot në 5 shkolla 9 vjeçare dhe 5 të mesme. Projekti do diskutohet me akademikët, mësuesit do të trajnohen. Do jetë një lëndë e veçante ‘historia e besimeve fetare’ ku nuk do predikohet feja. Kjo  lënda do jepet nga mësues dhe jo nga klerikë” – ka thënë sot Lindita Nikolla.

Pak ditë më parë, nje deklaratë e kryeministrit Rama se në shkolla do të futet mësimi i feve ngjalli debatin publik, ndërsa detajet janë bërë të ditura vetëm sot nga MAS.

SHKARKO APP