Fëmijët vizitë në Shërbimin Zjarrfikës‏

 

Dhjetëra fëmijë të kopshteve Nr.2, “Ylber” dhe “Mehmet Akif” të kryeqytetit vizituan paraditen e sotme ambientet e Shërbimit Zjarrfikës Tiranë.

Të shoqëruar nga edukatret dhe nga stafi i PMNZSH, fëmijët u njohën me punën e përditshme të këtij institucioni, mjetet logjistike dhe përgatitjen fizike.

Në fjalën e tij përshëndetëse Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, theksoi se urimi në këtë ditë shkon jo vetëm për fëmijët, por edhe për edukatoret që u kanë dhënë atyrë alternativa të mrekullueshme mësimdhënie.

“Një ndër këto alternativa është edhe kjo vizitë në Shërbimin Zjarrfikes ku fëmijët njihen sadopak me punën e palodhur që djemtë e vajzat bëjnë përditë në dobi të jetës” – tha Vorpsi

Nga ana tjetër, Drejtori i PMNZSH Tiranë, Shkëlqim Goxhaj u shpreh se kjo praktikë duhet të shtrihet në të gjithë qarqet me fëmijë të moshave të ndryshme. Sipas tij, kjo do t’u rriste fëmijëve vetëbesimin dhe të përmirësonte edukimin e tyre.

Gjatë vizitës së tyre, fëmijët e kopshteve në fjalë vëzhguan edhe demonstrime të ndryshme, pjesë e punës së përditshme të zjarrfikësve të Tiranës.

Në fund të aktivitetit të organizuar në kuadër të “1 Qershorit”, fëmijëve iu shpërndanë dhurata simbolike nga stafi i PMNZSH-së.

SHKARKO APP