Fermerët e Urës Vajgurore i hedhin prodhimet në kanal: Le t’i hanë delet
Fermerët e fshatit Samaticë, bashkia Ura Vajgurore po i hedhin prodhimet e tyre në kanal. Bëhet fjalë për fshatin Samaticë, Drenovicë si dhe Kutalli.
Fermerët e këtyre fshatrave prodhimet që marrin nga serrat si tranguj po hidhen në tokë. Kjo si pasojë e rënies së shitjes së prodhimit të qendrave të grumbullimit. Fidanët e mbjelë në serrat e tyre edhe pse janë me prodhim, ata po i heqin dhe po i hedhin në kanal. Fermerët shprehen se duan ndihmën e shtetit sepse janë me kredi, kërkojnë që këstet e kredisë të pezullohen për një vit dhe të subvensionohen fidanët që do mbjellin.
E gjithë zona po i hedh të gjitha prodhimet e tyre që kanë në serra, arsyeja është se pika e grumbullimit nuk ka se ku t’i çojë, është e bllokuar. Ndërkohë disa tregtarë që vijnë e marrin me 10 lekë për kg ose me 5 lekë.
“Ne nuk na del kostoja e prodhimit me këtë çmim, prandaj jemi të detyruar që t’i hedhim në kanal apo në tokë e t’i hanë delet.”