Fermerët në protestë, PD: Qeveria lë të lirë mafiozët dhe arreston dhun*shëm blegtorët

Pjesë e grupit të Berishës, deputeti Luan Baçi ka akzuar qeverinë Rama për shoqërimet në komisariat të fermerëve në Levan të Fierit, që sot dolën në protestë kundër monopolit të fabrikave të qumështit dhe uljen e çmimit të produkteve të tyre. Baçi denoncon se ata janë shoqëruar në mënyrë të dhunshme. ”Alket Çobo, Ervin Resuli e protestues të tjerë, janë shoqëruar në mënyrë të dhunshme nga banesat e tyre 3 orë pas përfundimit të protestës”,-tha Baçi në një deklaratë për mediat nga selia blu.

Deklarata e plotë

Pesë fermerë që kanë protestuar sot në Levan te Fierit kundër monopolit të fabrikave të qumështit dhe uljen e çmimit të produkteve të tyre janë arrestuar. Alket Çobo, Ervin Resuli e protestues të tjerë, janë shoqëruar në mënyrë të dhunshme nga banesat e tyre 3 orë pas përfundimit të protestës.

Ky është akti i radhës që qeveria e Edi Ramës bën kundër shqiptarëve që dalin në rrugë për të mbrojtur të drejtat, dinjitetin dhe bukën e përditshme të fëmijëve. Ministri Balla, që lë të lirë mafiozët dhe arreston blegtorët, kreu sot një turp kombëtar. Kjo është një përpjekje për të frenuar intensifikimin e një greve kombëtare nga blegtorët shqiptarë.
Ne u bëjmë thirrje Ballës dhe larove të tij në polici të mos bëjnë akte antiligjore për të cilat do të përgjigjen nesër.

Blegtorët nga Fieri, Vlora dhe nga gjithë Shqipëria i sigurojmë për mbështetjen e pakursyer të Partisë Demokratike. Protesta e blegtorëve nuk është shfaqje nga ato që bën qeveria, por klithmë nevoje. Është nxitur nga ulja drastike e çmimeve të qumështit nga fabrikat përpunuese, nga 180 lekë për litër vjet, në vetëm 120 lekë për litër sot. Kjo ka sjellë një krizë mbijetese për blegtoret, duke i detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset ose të therin tufat.

Blegtorët kanë paralajmëruar për intensifikimin e protestave, përfshirë bllokimin e rrugëve dhe refuzimin demonstrativ të dorëzimit të qumështit. Ne do t’i mbështesim. Beteja e çdo shqiptari për jetë më të mirë dhe dinjitet është edhe betejë e Partisë Demokratike. O sot, o kurrë!

SHKARKO APP