Festat e fundvitit, fluks emigrantësh në pikat kufitare me Greqinë dhe Italinë
Jetojmë në kohë pandemie ku numri i të infektuarve me Covid-19 po rritet çdo ditë e më shumë e bashkë me të dhe numri i personave që ndërrojnë jetë. Por kjo nuk i ka ndaluar aspak emigrantët që të rikthehen në Shqipëri për festat e fundvitit duke shtuar fluksin në pikat kufiare me vendet fqinje.
Përveç kësaj edhe masat shtrënguese të Greqisë dhe Italisë kryesisht përgjatë ditëve të fundit të vitit dhe fillimvitit 2021, kanë bërë që shumë shqiptarë që jetojnë në këto shtete të nxitojnë për të ardhur në Shqipëri. Vetëm gjatë ditës së sotme në Pikën Kufitare të Kalimit në Kapshticë kanë hyrë në territorin shqiptar 930 persona dhe 288 automjete.
Ndërsa në pikën tjetër kufitare me Greqinë atë të Kakavijës kanë kaluar 2 015 shtetas, 1 504 shtetas kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 511 kanë dalë. Fluks ka patur edhe në pikat kufitare me Italinë, kështu nga Porti i Vlorës kanë mbërritur nga Italia 120 pasagjerë, ndërsa nga ai i Durrësit 1 501 pasagjerë.