Festat e fundvitit, shtrëngohen masat për kalimin ilegal drejt BE-së

Në një kohë që shqiptarët rrisin çdo ditë shifrën si azilantë në Europë, në Rinas janë shtuar masat. Mësohet se Drejtoria për Kufirin dhe Migracionin, ka ndërmarrë një plan masash në të gjitha pikat kufitare, me qëllim përballimin e fluksit në hyrje-dalje në Aeroportin e Rinasit por edhe në porte. Në një anë këto masa janë marrë për përballimin e fluksit të emigrantëve që udhëtojnë brenda e jashtë vendit me rastin e festave të fundvitit por një rëndësi e veçantë ju është kushtuar masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Kjo pasi vit pas viti, kryesisht nga Aeroporti i Rinasit ka pasur një numër të lart personash të cilët nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, tentojnë të largohen ilegalisht drejt vendeve të BE-së.

Vetëm në këtë vit, Policia e Rinasit ka mundur të parandalojë rreth 300 persona të cilët kanë tentuar të largohen në mënyrë ilegale, duke u proceduar më pas për kalim të paligjshëm të kufirit apo edhe për falsifikim të dokumentave. Mësohet se pjesa më e madhe e këtyre personave nga vendi ynë kalojnë me dokumentet të sakta e më tej në vendet e Shengen-it përdorin ato të falsifikuara, si greke e italiane. Pas kontrolleve të imtësishme të kryer ndaj këtyre personave është zbuluar se dokumentete e falsifikuara fshiheshin në pjesë të ndryshme të trupit, si në atlete e veshmbathje. Përtej masave dhe thirrje për refuzim, shqiptarët çdo ditë e më shumë tentojnë azilin. Vetëm gjatë muajit shtator në Bashkimin Europian u regjistruan 1,770 kërkesa të reja për azil nga shqiptarët, apo rreth 14% më shumë se një muaj më parë. Eurostat ka publikuar të dhënat e reja për tremujorin e këtij viti, ku për periudhën korrik-shtator janë shënuar rreth 5,120 kërkesa. Gjatë periudhës janar-shtator numri i tyre u rrit me 21% në krahasim me një vit më parë.

Në total për 9 muajt e parë të këtij viti kanë aplikuar për herë të parë edhe 15,469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12,835. Eurostat raporton që gjatë tremujorit të tretë të këtij viti aplikuan për herë të parë për azil 166 400 mijë azilantë. Me 20,900 aplikantë për herë të parë midis korrikut dhe shtatorit 2019, sirianët mbetën grupi më i madh i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të BE-së, përpara afganëve (14400 aplikantë për herë të parë) dhe Venezuelasve (9600). Në tremujorin e tretë të vitit 2019, njerëzit nga këto vende përfshinin tre shtetësinë kryesore të aplikantëve për herë të parë të azilit në shtetet anëtare të BE-së, dhe përbënin 27% të të gjithë aplikantëve për herë të parë të azilit.

SHKARKO APP