Festat, OSHEE: Përballuam defektet, furnizim pa ndërprerje

 

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), arriti të sigurojë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, për konsumatorët gjatë festave të fundvitit, në sajë të investimeve dhe masave teknike që bëri vitin e shkuar.

OSHEE bën të ditur se masat e ndërmarra konsistuan në zbatimin e investimeve të reja me prioritet eliminimin e nyjeve kritike dhe stabilizimin e regjimit të punës së ngarkesave në sektorët e shpërndarjes të OSHEE-­së.

Ndërsa Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes, ka deklaruar se “janë marrë masa për përballimin e situatave të emergjencës duke bërë të mundur furnizimin e konsumatoreve përmes investimeve afatgjata dhe emergjente, ku OSHEE nëpërmjet fuqizimit të nënstacionit të qendrës ka bërë shpërndarje të ngarkesave dhe ky investim ka kushtuar rreth 200 mln euro”.

Sipas OSHEE­, angazhimi i madh i stafit të këtij institucioni, bëri të mundur që furnizimi me energji i konsumatorëve të përmirësohej 4 herë më mirë në krahasim me një vit më parë dhe remontet ishin të vendosura sipas standardeve europiane, ku u eleminuan risqet për ndërprerjen e energjisë.

Në terren u shpërndanë 400 brigada pune ku u angazhuan në të gjithë vendin për përballimin e defekteve në kohën e festave, periudhë në të cilën edhe konsumi i energjisë ka qenë më i lartë nga abonentët. Zyra për Kujdesin ndaj Klientin, vuri në dispozicion dispeçeritë nëpërmjet së cilës qytetarit i vihej në ndihmë në çdo kohë.

Në krye të detyrës ishin 1800 persona të cilët kanë bërë të mundur menaxhimin e situatës gjatë festave, ku në krahasim me një vit më parë ka pasur përmirësim të dukshme te furnizimit me energji elektrike. 

SHKARKO APP