Fier: Grabitësit tentojnë të hyjnë në banesë por pikasen nga familjarët, plagoset me armë 40 vjeçari
Mbrëmjen e sotme persona të paidentifikuar kanë tentuar të grabisin një banesë në Roskovec, por janë pikasur nga pronari dhe kushëriri i tij.
Sipas informacioneve, grabitësit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të kushërinjve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur kushëriri i pronarit të shtëpisë, Arben Çepele, 40 vjeç.
Çepele ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Fierit, teksa ka marrë një plumb në këmbë që mendohet se i ka prekur arterien.
Ndërkohë që policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
“Sot rreth orës 20:20, në Roskovec, persona të paidentifikuar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e shtetasit A. Ç, rreth 65 vjeç, por janë pikasur nga pronari dhe kushëriri i tij.
Autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy kushërinjve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur kushëriri i pronarit të shtëpisë, shtetasi A. Ç, rreth 40 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve“, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për fiksimin e çdo prove materiale që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.