Fierza nuk ka ujë, KESH ble 4.1 mln euro energji

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës, po bie me shpejtësi dita-ditës ndërsa bregu i boshatisur nga uji është shfrytëzuar më së miri nga banorët për të grumbulluar mbetje drusore që kanë sjellë prurjet dhe hapësirat e krijuara për kullotje të bagëtive. Kuota aktuale ka zbritur në 274.50 metra mbi nivelin e detit ndërsa prurjet kanë rënë me 40 metër kub ujë në sekondë. Në Fierzë, aktualisht punohet me tre turbina.

Pavarësisht kësaj rënie, Enti Rregullator i Energjisee raporton se niveli i ujit në kaskadën e Drinit, është më i larti i regjistruar në vitet e fundit në pjesën e parë të vitit. Në qershor- korrik në Fierzë rezerva ujore u raportua 296.3 metra dhe rezultonte 7 metra më shumë se mesatarja historike, si dhe duke tejkaluar edhe maksimalen që është shënuar për këtë muaj, në vitet e fundit.

Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta kanë rikthyer importin e energjisë elektrike. Korporata Elektroenergjitike ka publikuar procedurën e fundit për blerjen e energjisë elektrike për periudhën 18-24 shtator për të ruajtur rezervën në kaskadën e Drinit. Në total janë blerë 42 mijë megavatorë të cilët kanë kapur një vlerë prej 4.1 milionë euro.

SHKARKO APP