Fiks pas 68 vitesh, prapë në Beograd

Vizita e Kryeministrit Rama ka marrë një rëndësi të veçantë, jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të delegacionit pas kaq dekadave, por edhe për debatet dhe replikat që shoqëruan këtë vizitë të pritshme. Para incidentit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë më 21 tetor, mbërritja  e Kryeministri Edi Rama në Beograd ishte shtyrë dhe disa herë të tjera. Arsyet, sipas autoriteteve serbe, lidheshin me zhvillimet politike në këtë vend, si zgjedhjet e reja dhe rotacioni i pushteteve. Por pas gjithë justifikimeve serbe dihej se kryeministri shqiptar nuk pritej me krahë të hapur në Serbi. Këtë gjë e dëshmuan deklaratat që pasuan incidentin e ndeshjes Serbi-Shqiperi. Incidenti tregoi se Ballkani ka futur një këmbë në Bashkimin Europian, por koka sërish është e mjergulluar nga retorika nacionaliste dhe thirrjet për konflikte. Deklaratat e Presidentit Serb , Nikoliç duket sikur vinin nga një shekull më parë, kur mes vendeve kishte luftë. Ministri i Jashtëm, Iviça Daçiç tregoi se jo më kot ka qenë zëdhënës i Milosheviçit dhe me atë vetëm për diplomaci nuk mund të flitet, ndonëse luan në truall të minuar nacionalist serb. Kryeministri Alekandar Vuçiç edhe pse tenton të bëjë rolin e një politikani të moderuar në Ballkan, shfaqi të njëjtën mendësi si huliganët serbë gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri. Përfshirja e vëllait të kryeministri, Olsi Rama nga autoritetet serbe në incident, më shumë sesa gafë, ishte një taktikë për të bërë të pamundur mbërritjen e kreut të qeverisë shqiptare. Të gjitha këto qëndrime sollën shtyrjen e vizitës së Kryeministrit Edi Rama, nga data 23 tetor për ditën e hënë më 11 nëntor. Por Rama mbeti këmbëngulës. Nuk hoqi dorë nga kjo vizitë. Edhe disa orë para mbërritjes së delegacionit shqiptar në Serbi, nga zyrtarë të lartë serbë nuk ka munguar retorikë mbi “kërcënimin e Shqipërisë së Madhe”. Lojë për të ulur rëndësinë e vizitës së kryeministrit shqiptar në arenën europiane.

Të gjitha këto ngjarje e shtojnë dhe më shumë tensionin e takimeve që do të zhvillojë kryeministri Rama në Beograd me zyrtarët e lartë. Takimi me Kryeministri Aleksandar Vuçiç nuk pritet të jetë i lehtë. Mes dy kryeministrave ka pasur jo pak replika gjatë javëve të fundit dhe një bisedë telefonike të gjatë, nga e cila secila palë nuk hoqi dorë nga qëndrimet që kishte për incidentin e ndeshjes. Por ndeshja është ngjarja më e pakët për të cilën do të diskutojnë dy kryeministrat. Mes Shqipërisë dhe Serbisë është Kosova dhe dihen qëndrimet diametralisht të kundërta për këtë çështje. Vizita e Ramës, veç takimit të dy delegacioneve në nivel qeveritar, do të ketë dhe një konferencë për gazetarët serbë e të huaj. Kryeministri Edi Rama, duket se në këtë konferencë do të flasë dhe për keqkuptimet me dashje të incidenteve që i kanë bërë autoritetet serbe ngjarjeve të ndeshjes mes dy ekipeve kombëtare. Natyrisht do mundohet t’i ikë kunjave , porse nëse ia prekin sedrën atëhere Rama nuk ia përton shpotive dhe sarkazmës sa do të mbetet me gojë hapur homologu serb. Kryeministri Rama pritet të shkojë dhe në Luginën e Preshevës, një zonë me banorë etnikë shqiptarë duke u bërë kështu i pari Kryeministër në historinë e shtetit shqiptar që takohet më shqiptarët e Serbisë. Mesazhet e kësaj vizite si dhe pritja që do t’i rezervojnë autoritete serbe delegacionit shqiptar do të vendosin se cilat do të jenë marrëdhëniet e mëtejshme mes Shqipërisë dhe Serbisë. Por Rama duket se nuk po luan vetëm për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Ai po luan kartat e një lideri europian, duke qëndruar në Beograd , por me mendjen në Berlin tek Kancelarja Merkel.

Vizita e Kryeministrit Rama në Serbi nuk është se do të rregullojë serbët karshi kosovarëve apo shqiptarëve në përgjithësi, por është një mesazh me shumë për Europën e SHBA se Shqipëria është vizionare dhe ka një tjetër politikë të fqinjësisë, që është bashkëpunuese dhe e gatshme politikisht të hyjë në Bashkimin Europian.  Bile , pa e thënë me gojë, por duke e menduar se ata në Bruksel të binden se ai, pra Edi Rama, është një lider ballkanik e jo vetëm për Shqipërinë. Edhe dalja përkrah kancelares Merkel para disa javëve e ndërkohë që kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perendimor  rrinin në rrjeshtin e parë, mbetet një gjë të cilën Edi Rama  don ta përsëris herë të tjera në Bruksel e kudo, pasi kështu ai faktorizohet si një lider përbashkues rajonal e jo vetëm i shqiptarëve. Ndërsa në sensin ekonomik për Shqipërinë kjo vizitë është një thithje e vlerësimeve pozitive nga zonja Merkel e gjithë kancelaria europiane duke lëshuar mesazhin se Shqipëria e meriton hapjen e thesit të parave të buxhetit të BE. E kjo është më kryesorja e kësaj vizite historike. Natyrisht që Edi Rama është mjeshtër i një politike të re, larg konfliktëve të historisë, por edhe një njeri që don të hyjë në historinë e kombit. Edhe kjo vizitë nuk është larg të shënuarit në librin e historisë së Shqipërisë, si i dyti kryeministër në 68 vite, që hyn triumfator në mënyrën e tij  në Beograd, aq me tepër duke njohur natyrën e Edi Ramës që di të debatojë, të kundërpërgjigjet çdo provokimi apo ironie edhe në mes të ujqërve të Beogradit. Me shumë në dilemë është homologu serb se sa Edi Rama në këtë takim apo në përballjen me median . Bile Rama e ka me qejf të madh daljen para tyre sepse zien nga brenda për t’u përgjigjur edhe me shpoti , nëse e thumbojnë me stilin e vjetër serb. Kjo hyrje e tij në portat e Beogradit është për Brukselin e historinë , ndërsa vajtja në Luginën e Preshevës është për kombin shqiptar për t’u parë si një lider mbarëkombëtar, pasi Sali Berisha ndonëse ka luajtur bukur në këtë sens, por deri në Kosovë ka shkuar e asnjë hap me tepër. Kurse Edi Rama pas Beogradit e pas 68 viteve shkon edhe në Preshevë ku në 102 vite të shtetit shqiptar asnjë kryeministër nuk ka guxuar të hyjë e të flasë para tyre. Ndaj Edi Rama po luan mjeshterisht me finesë, ndonëse në thelb është një gjë kombëtare dhe e shkëlqyer,pasi prestigji në sytë e botës për Shqipërinë, do të rritet. Edi Rama e di mirë se pas zhurmës botërore të pasndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri vëmendja e medias ndërkombëtare do të jetë të henën në Beograd e në Preshevë. E ai, do të jetë në qendër të kësaj vëmendje! Të paktën për një ditë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nikoll   LESI

Swiss Digital Mobile Reklama

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?