Fillimi i mësimit, maskat nuk janë të detyrueshme në klasa për nxënësit e ciklit të ulët

Vetëm 2 javë përpara fillimit të procesit mësimor, qeveria shqiptare ka hequr masën e mbajtjes së detyrueshme të maskave në klasa për nxënësit e ciklit të ulët.

Në çdo ambjent tjetër të shkollës, maska do të jetë e detyrueshme.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë teksa ka nënvizuar se mbajtja e maskës është e detyrueshme për nxënësit e 9 vjeçares dhe ciklit të mesëm si dhe të gjithë personelin.

Masa të njëjta ka marrë dhe Italia e cila hoqi masën e mbajtjes së maskave të detyrueshme në klasë për nxënësit mbi 6 vjeç në rast se respektohet distanca 1 metër.

Vendimi është marrë nga komiteti tekniko-shkencor pranë qeverisë Conte i cili ka shpërndarë urdhëresën ku nënvizohet se ekspertët kanë vlerësuar se për të favorizuar mësimin në klasë e zhvillimin relacional, maska mund të hiqet në klasë në kushtet e qëndrimit statik të nxënësve e në distancë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit.

Gjithashtu edhe Greqia ka njoftuar për masat e reja të cilat do të ndërmerren në vijim të rifillimit të shkollave. Sipas njoftimeve të Ministrit të Arsimit, maska ​​do të përdoret kryesisht në ambiente të mbyllura, përveç në kohën e vaktit.

Në ambiente të jashtme të shkollave do të përdoret vetëm në rast të mbipopullimit. Nuk ka asnjë parashikim për përdorimin e një maske gjatë pushimeve, e cila do të jetë kohë e ndryshme për grup studentësh, as në palestër. Maska do të jetë gjithashtu e detyrueshme në transportin e studentëve.

Kategoritë e studentëve që përjashtohen nga përdorimi i detyrueshëm i maskës janë fëmijët me aftësi ndryshe si dhe nxënësit me probleme të sistemit respirator.

SHKARKO APP