Filloi shkolla, Policia kontrolle për respektimin e rregullave
Krahas masave standarde në çdo fillim viti shkollor këtë vit, Policia e Shtetit do të monitorojë edhe zbatimin e masave mbrojtëse kundër Covid-19.
Efektivët e policisë do të jenë para shkollave jo vetëm për të garantuar sigurinë gjatë procesit mësimor por edhe për t’u siguruar që të gjitha rregullat për parandalimin e përhapjes së virusit do të zbatohen.
”Patrulla të Policisë së Rendit por edhe efektivë të policisë rrugore si dhe agjentë civilë të policisë kriminale do të jenë prezent në afërsi të institucioneve arsimore, në orarin e fillimit të mësimit apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të procesit mësimor. Kontakt i vazhdueshëm do të mbahet edhe me stafin pedagogjik dhe oficerët e sigurisë në shkolla”, tha Gjovalin Loka, drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike.