Filo: Do të ndërtojmë pistën e skive në Dardhë e Voskopojë si dhe 50 bujtina tradicionale

 

 Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Korçës Sotiraq Filo prezantoi programin për Kulturën, Trashëgiminë e Turizmin.

“Në katërvjeçarin e ardhshëm do të vazhdojmë me të njëjtën bindje dhe përkushtim për ta kthyer Korçën në modelin e zhvillimit turistik, që jo vetëm mirëmban dhe ripërtërin vlerat e trashegimisë, por edhe që i sjell ato plot jetë në përditshmërinë e qytetarëve dhe turistëve”, theksoi Filo në një takim me banorë të këtij qyteti.

Ai renditi disa nga shtyllat kryesore të programit për Kulturën, Trashëgimine dhe Turizmit, ndër të cilat unaza turistike e bashkisë, lidhja me infrastrukturën rrugore e zonave turistike me afërsi gjeografike, mbështetja me grant për ndërtimin e rrjetit të 50 bujtinave tradicionale në qytetin e Korçës dhe zonave turistike si dhe ndërtimi i pistës së skive dhe kompleksit turistik dimëror në Dardhë dhe Voskopojë.

Filo po ashtu veçoi edhe projektet për ndërtimin e Parkut Monumental dhe Religjioz pranë Xhamisë “Iliaz Bej Mirahori” dhe kthimin e tij në atraksion ballkanik, restaurimin e fasadave të ansamblit rreth sheshit të Çezmes së Amzos dhe sheshit të Mitropolisë dhe kthimin e tyre në atraksione turistike.

Gjithashtu, sipas tij, prioritet do të ketë edhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore, ndriçimi dhe rikonstruksioni i monumenteve të kulturës në fshatrat turistikë Dardhë, Voskopojë dhe Vithkuq, ashtu si dhe zgjerimi i hartës së fshatrave turistikë të bashkisë.

SHKARKO APP