Financimi i fushatës, një njollë e errët e zgjedhjeve

Një raport i organizatave të shoqërisë civile vlerëson se partitë politike dhe institucionet dështuan të bëjnë transparencën e donacioneve për fushatën e kushtueshme të zgjedhjeve lokale. 

Organizatat e Shoqërisë Civile vlerësojnë se zgjedhjet e 21 qershorit u shoqëruan me përmirësime dhe probleme, por financimi i fushatës së partive politike mbetet një njollë e errët e tyre. Sipas një raporti të publikuar të hënën nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, financat e fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit kanë marrë vlerësimin më të ulët mes indikatorëve të tjerë të zgjedhjeve.

Raporti “Indeksi i integritetit të zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit 2015”, i hartuar nga një grup ekspertësh të IDM ka marrë në analizë 11 indikatorë të zgjedhjeve, duke u bazuar tek monitorimet e shoqërisë civile.

Raporti vlerëson se partitë politike kanë përdorur financat si mjet për të ndikuar votuesit, duke tejkaluar edhe në këto zgjedhje shpenzimet e parashikuara nga buxheti i shtetit. “Subjektet konkurruese dhe institucionet e ngarkuara me transparencën financiare të zgjedhjeve dështuan në mbledhjen, publikimin dhe vlerësimin e financimit të fushatës,” thuhet në raport.

“Në shumë raste, ka pasur përdorim të burimeve shtetërore në funksion të kandidatëve,” vlerësojnë ekspertët.

Financimi i fushatave ka një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e zgjedhjeve, pasi përdorimi i fondeve të dyshimta sjell pabarazi në garë dhe mund të deformojë rezultatin zgjedhor. Megjithatë, nga viti në vit, fushatat zgjedhore janë bërë më të kushtueshme, ndërsa fondet shtetërore arrijnë të mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të këtyre shpenzimeve.

Raporti “Indeksi i integritetit të zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit 2015” vlerëson se në këto kushte, partitë politike dhe kandidatët po mbështeten gjithnjë e më tepër në donacione për të realizuar një fushatë efektive.

“Kjo qasje mbart rrezikun e financimit të fushatave me burime të dyshimta financimi ose premtimeve nga kandidatët për krijime favoresh për donatorë të ndryshëm, nëpërmjet pushtetit të ardhshëm,” thuhet në raport.

Organizatat e Shoqërisë Civile vlerësojnë se zgjedhjet e 21 qershorit u shoqëruan me mungesë të transparencës financiare. Ato theksojnë se “vetëm një kandidat i pavarur ka zbardhur kontributet financiare të donatorëve dhe ka ftuar partitë të veprojnë njësoj”.

Përveç donacioneve të panjohura të përdorura në fushatë, raporti ka vlerësuar se legjislacioni zgjedhor ka qenë i paplotë, ndërsa administrata zgjedhore ka sjellë probleme, sidomos në nivelet e ulëta.

Indeksi i Integritetit të Zgjedhjeve është një vlerësim i cilësisë së zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile, që synon të kontribuojë në përmirësimin e këtyre proceseve në të ardhmen./Birn

SHKARKO APP