Finlanda dhe Suedia në NATO, PS kërkon në Kuvend procedurë të përshpejtuar të ratifikimit të Protokolleve
Partia Socialiste me firmën e 30 deputetëve, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të ratifikojë me procedurë të përshpejtuar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO. PS kërkon të futet në rendin e ditës në seancën e nesërme.
“Bazuar në nenet 28 dhe 49 të Rregullores së Kuvendit, një grup prej më shumë se 28 deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste duke vlerësuar rëndësinë e dy projektligjeve të sjella nga Këshilli i Ministrave: “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit te Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës” dhe “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë” dhe duke shpresuar në mirëkuptimin e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, propozojnë:
1-Shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjeve: “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës” dhe “Për propozimin e projektligjit “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”.
2-Shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar të dy projektligjeve nga mbledhja e përbashkët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe e Komisionit të Politikës së Jashtme, e cila të zhvillohet gjatë punimeve të Seancës Plenare të datës 7 Korrik 2022 dhe të depozitohet Raporti i komisionit përgjegjës përpara shqyrtimit gjatë Rendit të Ditës.
3-Ndryshimi i Rendit të Ditës të Seancës Plenare të datës 7 Korrik 2022 duke përfshirë në rend dite si çështje për shqyrtim edhe dy projektligjet “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës” dhe “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”, thuhet në kërkesën e PS.