Firmoset peticioni për Teatrin në Vlorë, Liçaj: I hapën gropën vetes i dhanë fund qeverisë së tyre
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka firmosur peticionin pasditen e sotme në Vlorë, ku i janë bashkuar qindra qytetarë. Regjisori Edmond Budina ka folur për artistë vlonjatë që kanë votuar pro shembjes së Teatrit. Ai tha se është njësoj si të votojë ai për shembjen e teatrit “Petro Marko”
“Një pjesë e artistëve vlonjat kanë votuar pro shembjes të Teatrit Kombëtar në Tiranë kjo nuk është diçka e drejtë. Është njësoj sikur unë të firmos për të shembur shtëpinë tënde. Një pjesë e artistëve normalisht që do të firmosin pasi mbrojnë punën e tyre por kjo nuk është e drejtë. Ç’punë ka ai në Vlorë të votojë për teatrin e Tiranës njësoj sikur unë të votoj për shembjen e teatrit ‘Petro Marko’ në Vlorë”, deklaroi Budina.
Aktori Neritan Liçaj tha se ka diçka më të fortë se qeveritarët, se pushteti i tyre dhe ai është pushteti qytetar.
“Rama bashkë me Lalin shembën teatrin dhe mendon se na dhanë fund por i hapën gropën vetes i dhanë fund qeverisë së tyre. Pasi ka diçka më të fortë se ta, se pushteti i tyre dhe ai është pushteti qytetar. Do t’iu vijë fundi pasi populli dhe aleanca do të qëndrojë rezistente dhe e pamposhtur. Rama me çitjane është turp i Vlorës, turp që ka qenë deputet i këtij qyteti”, deklaroi Liçaj.