Fishat falas të diabetit, kursim 12 mijë lekë të reja për çdo familje
Shpërndarja e fishave të diabetit falas edhe për studentët dhe të rinjtë deri në 25-vjeç të prekur nga kjo sëmundje, i kursen çdo familje 12 mijë lekë të reja. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ka konsideruar zgjerimin e skemës së rimbursimit për të sëmurët kronikë, drejt një hap drejt mbulimit universal. “Edhe një hap përpara drejt Mbulimit Shëndetësor Universal me zgjerimin e skemës së rimbursimit për të sëmurët kronikë. Nis shpërndarja e fishave të diabetit falas, pas fëmijëve, edhe për të rinjtë deri në 25 vjeç”, thotë Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thotë se kontrolli i Glicemisë ndikon në uljen e komplikacioneve që shkaktohen nga diabeti. Vendim për zgjerimin e përfituesve të fishave të diabetit falas u mor më 16 maj të këtij viti. Në total nevojiten rreth 868,700 fisha diabetike në një vit për pacientët, që pacientët do t’i përfitojnë falas. Për të lehtësuar pacientët, fishat e diabetit mund të tërhiqen për 6 muaj, duke ju shkurtuar rrugëtimin pacientëve, të cilët paraqiten vetëm dy herë në vit pranë QSUT ose spitaleve rajonale të zonave ku ata jetojnë. Procedura e rimbursimit të fishave për matjen e glicemisë fillon tek mjeku i familjes ku pacienti tërheq formularin për rimbursim dhe më pas paraqitet në farmacitë e rimbursimit, të cilat ndodhen në çdo spital rajonal dhe në spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë.
Pas rimbursimit të fishave për fëmijët deri në 18-vjeç, me financim të buxhetit të shtetit me vlerë 7.5 milion lekë gjatë vitit 2018, financimi shtrihet edhe për të rinjtë që vuajnë nga diabeti. Një tjetër vendim i rëndësishëm që ka lehtësuar pacientët me diabet është ai i konsultave të specializuara online, nëpërmjet sistemit të Telemjekësisë. Me këtë sistem, pacientët nga rrethet nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për konsultën për përfitimin e penave të insulinës falas, duke siguruar shërbim afër vendbanimit dhe kujdes shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Gjatë takimit me të rinjtë që përfitojnë falas fishat e diabetit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të vijojë zgjerimi i përfitimeve nga skema e rimbursimit, për të sëmurët kronikë që do të përfitojnë nga lista e re e barnave e vitit 2019.
KOHA JONË SONDAZH

