Fishekzjarret në Tiranë do t’i hedhë bashkia
Për herë të parë, jo vetëm disa ditë para natës së Vitit të Ri, por as në momentin e ndërrimit të viteve, qytetarët nuk do të hedhin fishekzjarre. Hedhja e fishekzjarreve këtë vit është ekskluzivitet i bashkisë, që në momentin e ndërrimit të viteve, për gati 30 minuta në sheshin ”Skënderbej” do të ofrojë një spektakël fishekzjarresh si në qytetet e vendeve europiane.
Julinda Dhame, drejtoreshë e promovimit të qytetit, shprehet se: ”Ne shpëtuam nga vendimi që ka marrë Ministria e Brendshme përsa i përket shpërndarjes së fishekzjarreve, pasi vërtetë ka qenë një problem në shesh, pasi rrezikoheshin qytetarët aty ku mbahej koncerti. U them qytetarëve të Tiranës që të kenë besim te bashkia për një superspektakël gjatë natës së Vitit të Ri”.
Në sheshin ”Skënderbej”, në datën 31 në mbrëmje do të ketë dhe një koncert me këngëtarë të njohur, të cilët do të performojnë për të gjithë ata që do të dalin për të pritur ndërrimin e viteve në shesh.
“Në orën 23:00 fillon spektakli dhe koncerti i madh i Vitit të Ri me këngëtarë të njohur si Eneda Tarifa, Sidrit Bejleri, Eranda Libohova dhe shumë të tjerë”, thekson Dhame. Jo vetëm në 31, por edhe në fundjavë Bashkia e Tiranës ka përgatitur një festival dritash shumëngjyrësh për qytetarët e Tiranës por kryesisht fëmijët të cilët i gëzojnë më shumë festave.
Në bazë të një urdhri të firmosur nga 3 ministri, këtë fundviti ndalohen në treg fishekzjarret dhe kapsollat. Përdorimi i këtyre artikujve do të bëhet në raste festash kombëtare dhe eventesh të mëdha, ndërsa në raste gëzimesh familjare si dasma e ditëlindje, hedhja e kapsollave do të bëhet vetëm pasi të jetë marrë leja përkatëse nga komisariati i policisë.
Njerëzit shprehen pro urdhrit. Ata përmendin rastin e oficeres se policisë Ina Nuku, e cila pësoi dëmtime të renda nga kapsolla që i hodhën gjatë protestës së banoreve të Astirit. “Janë të rrezikshme. Mua me plasi në dorë. Është shumë mirë që mjetet plasëse të mos jenë në duart e kujtdo por të bashkisë, si në gjithë botën, thotë një zotëri”, thonë qytetarët. Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit që viti i ri nis me lajme për plagosje dhe dëmtime nga fishekzjarret e kapsollat. Të shpresojmë që ky urdhër do të frenojë raste të tilla.
KOHA JONË SONDAZH

