Fitoi betejën me Covid-19, ish-deputetja Malaj: 17 ditë pa oreks. 3 momente kryesore që e ndihmojnë këtë çështje
Ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj e fitoi betejën e saj me Covid-19. Ajo tha se në fillim mendoi se ishte ftohur pasi u ndje e dobët fizikisht. Malaj shtoi se pas pak kohe iu rrit temperatura dhe nuk po merrte dot frymë, biles edhe duke humbur edhe shijimin.
”Më datë 23-24 u ndjeva paksa e dobët dhe mendova se isha e ftohur nga vapa e kondicionerët. Në fakt po shikoja se temperatura po rritej dhe kisha simptoma jo normale. Duke qenë se jam me diabet, më bëri të kuptoja se me kalimin e kohës po rritej dhimbja, nuk mbushesha dot me frymë dhe më iku shijimi. Po ashtu, më dhembnin kockat, kisha një kollë të thatë në laring. Temperatura mu rrit shumë deri në 39 duke më bërë më të dobët”,- tha për ”Ora News”.
Malaj tha se u lidh me mjekun Pëllumb Pipero dhe ai e këshilloi që të bënte analizat. ”Duhet të menaxhoja antibiotikët me ilaçet e diabetit. Kanë qenë 17 ditë kllapie, pa lëvizur nga shtrati, pa dëshirë për të ngrënë. E vetmja gjë që kërkoja ishte dhalla. Gjatë kësaj periudhe u kujdes bashkëshorti im, por e mori edhe ai që ishte me shërbimi. Djali nuk futej brenda, por na i siguronte të gjitha, marrjen e ilaçeve, sjellin e ndonjë fruti dhe kontaktet me mjekët”.
Sipas Malaj, janë tre momente që e ndihmojnë rastin e infektimit që janë konstatim i saktë, menaxhimi që të bën mjeku specialist dhe rasti i tretë janë familjarët. ”Mendoj se janë 3 momente kryesore që e ndihmojnë këtë çështje; konstatim i saktë, menaxhimi që të bën mjeku specialist dhe rasti i tretë janë familjarët, sepse situata nuk është e thjeshtë. Të kap ajo që është si ankth frike dhe padije, kur e shikon se dobësohesh dhe që nuk ke imunitet. Unë fatmirësisht e kalova këtë rast dhe nuk shkova në spital, reagova pozitivisht. Sot jam në një situatë të rikuperuar. Tashmë jam në një fazë post Covid për tu rikuperuar nga stresi”.