Fitoi pa garë, Skënder Gjinushi: Se di pse s’ka kandidatë për Akademinë e Shkencave
Këtë të premte, pa njoftime, kundërshtarë dhe pa një garë, Skënder Gjinushi u rizgjodh në krye të Akademisë së Shkencave, me 51 vota pro dhe 2 kundër. Votimi u mbajt në Akademinë e Shkencave. Akademiku Vasil Tole i cili rikandidoi për postin e zv.kryetarit, u zgjodh me 50 vota pro dhe 3 kundër.
Vetë Gjinushi pas fitores, tha se nuk ka informacion pse nuk ka kandidatë për Akademinë e Shkencave. ”Secili ka kandidat ka në dorë veten e vet. Gjithkush nga Akademikët kanë qenë i ftuar dhe jo vetëm se ligji ta jep të drejtën. Në një shoqëri demokratike, lejohet kandidimin e lirë, kur pengohet është problem. Ende se keni kuptuar që në institucionet si Akademia e Shkencave, dinë të vlerësojnë se kush do të jetë ekipi drejtues dhe kolaudohet se cila reformë, cila alternativë do duhet mbështetur? Kur merr shume vota në mandat të dytë i bie që ke punuar shumë mirë. Garë është se votohet po jo. Vazhdoni i bini një kambanë. Dinë se ç’bëjnë 53 akademikë. Mos bëni sikur jeni më të mençur se akademikët”,-tha Gjinushi.
Pak kohë më parë u miratua Ligji që nuk u pranua nga PD, por që i lejon kryetarit të Akademisë (po ashtu edhe zv.kryetarit) një mandat të dytë, dhe heqja e kufizimit të moshës deri në 75-vjeç. Kjo bëri që rikonfirmimi i krerëve aktual të ASH-së të mos ketë pengesa.