Fiton Donald Lu, Llalla do burgoset. Arratiset nga Shqipëria

Nga: Redjon Shtylla

”Peshqit e mëdhenj”, është fjala më e përdorur nga Donald Lu, gjatë kohës që shërbeu si ambasador i SHBA-së në Tiranë. Afro 3 vite nga ikja e tij, peshku i madh pritet të dënohet. Adriatik Llalla do të jetë zyrtari më i lartë që do të bëjë burg dhe dënimi vjen nga institucionet e ngritura në kuadër të Reformës në Drejtësi. Mes ish-amabasadorit dhe Llallës ka pasur përplasje që shumë zëra thonë se nuk ishte për Reformën në Drejtësi, por që sot fitues del të jetë Lu.

Vendimi përfundimtar për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, është ai i formës së prerë dhe është marrë sot nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Apeli la në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Llalla është dënuar me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe i janë konfiskuar 8 pasuri.

Në një kohë që në Shqipëri është dhënë vendimi, Llalla është larguar jashtë vendit për t’u mjekuar në një klinikë private. Ish-Prokurori i Përgjithshëm mund të shpallet edhe në kërkim ndërkombëtar.  Policia bën me dije se ai ka dalë nga Shqipëria, në drejtim të Turqisë. Në një media online është publikuar një foto e Llallës që shihet në Romë.

Avokati Sokol Hazizaj, tha se vendimi është kopje e Shkallës së Parë, që nuk është i bazuar në prova. Juristi Ledio Braho ka ngritur shqetësim për gjendjen shëndetësore të Llallës me shpjegimin se vuan nga një sëmundje e rëndë dhe se ndodhet në kujdes spitalor. ”Gjendja shëndetësore është një nga mekanizmat që mund të përdoret për ta pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi. Megjithatë kjo sërish kalon nëpërmjet gjykatës”.

Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.

SHKARKO APP