Fiton Dritan Goxhaj
Këtë të martë, Gjykata e Apelit ka refuzuar ekstradimin në Hagë të Dritan Goxhajt. Me këtë vendim, ish-ushtari i UÇK-së do të lirohet nga burgu. Goxhaj u arrestua në vendin tonë më 31 korrik me urdhër të Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës. Ish-ushtari i UÇK-së akuzohet për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë.
Avokati Ardjan Visha apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila pranoi ekstradimin. Në seancën e sotme ishte i pranishëm edhe vet Goxhaj. Në një njoftim të Gjykatës Speciale, thuhet se arrestimi i Goxhaj lidhet me një vepër penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Ndaj shoqëruesit të trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, Gjykata Speciale e Kosovës kishte lëshuar një urdhër-arrest, pasi e akuzon se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.