Fitues i çmimit ”Lumo Skëndo”, gazetari Ilir Ikonomi vlerësohet për librin ”Fan Noli-Apostulli”
Çmimi ”Lumo Skëndo” këtë vit është fituar nga gazetari dhe studiuesi i mirënjohur Ilir Ikonomi, për librin ”Fan Noli-Apostulli”. Me një punë kërkimore 10-vjeçare, Ikonomi sjell biografinë e një prej figurave më të shquara të shek. XX, të ndarë në tre vëllime. Gjatë marrjes së çmimit, autori ndau disa detaje nga vëllimi i dytë, të cilin pritet ta sjellë këtë vit për lexuesit.
”Mid’hat Frashëri dhe Fan Noli nuk qëndruan bashkë më shumë se një javë në Gjenevë, por ishin aty në çastin e duhur. Ishin ndoshta të vetmit shqiptarë që kishin realisht aftësinë të mbronin kufijtë e Shqipërisë. Ja pse ky çmim që mora sot më solli në mendje disa gjëra nga historia. Ishte mjaft kuptimplotë për mua”.
Çmimi ”Lumo Skëndo” i themeluar tre vite më parë nga qëndra kombëtare e librit dhe keximit për veprën më të mirë në për vitin 2023 dhe risjelljen në vëmendje të emrit të një figure të rrallë dhe të poliedrike siç është Mid’hat Frashëri.
Postimi i plotë
Sot në Tiranë një juri më nderoi me çmimin prestigjoz Lumo Skëndo për librin “Fan Noli – Apostulli”. Ngjarja organizohej nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Thashë edhe unë ca fjalë për njohjen e Lumo Skëndos (Mid’hat Frashërit) me Fan Nolin në vitin e largët 1921.
Të dy ishin njerëz të ditur, të dy punonin shumë për problemin më të madh të atij viti: zbrazjen e tokave shqiptare nga trupat serbe dhe greke, që nuk po e linin Shqipërinë e ringjallur të merrte frymë.
Mid’hati, 41 vjeç, përfaqësonte Shqipërinë në Paris; Noli, 39 vjeç, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Mid’hati ishte njohës i shkëlqyer i truallit shqiptar, i çdo fshati, i çdo pëllëmbe tokë. Noli ishte orator dhe artikulues i mirë i kërkesave shqiptare, i zbukuronte fjalimet e tij me shprehje latine, me vargje nga Shekspiri dhe Dantja, ishte i zoti të debatonte me diplomatët grekë dhe serbë në Lidhjen e Kombeve.
Një ditë u takuan në Gjenevë. Ishte fund i gushtit 1921. Më 1 shtator trokitën të dy në zyrën e Lordit Arthur Balfour, ish-kryeministrit të Britanisë.
-Si mund t’ju ndihmoj?-i pyeti Lordi.
-Ju keni fuqi të madhe,-i thanë ata.
Lordi i priti me dashamirësi, por jo pa një sens ironie këta dy burra të kulturuar, që mbronin me aq pasion trojet e sakatuara të vendit të tyre. Mirëpo nuk ishte e lehtë të depërtoje tek të mëdhenjtë.
Mid’hat Frashëri dhe Fan Noli nuk qëndruan bashkë më shumë se një javë në Gjenevë, por ishin aty në çastin e duhur. Ishin ndoshta të vetmit shqiptarë që kishin realisht aftësinë të mbronin kufijtë e Shqipërisë. Ja pse ky çmim që mora sot më solli në mendje disa gjëra nga historia. Ishte mjaft kuptimplotë për mua.