Fjala e Zotit e dielës të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, të Shëlbuemit

Kisha kremton e reflekton të Ngjiturit e Krishtit në Qiell. Të Shëlbuemit, shënon përmbushjen e shëlbimit, që nisi me Mishërimin: ashtu siç Jezusi zbriti për ne nga qielli, për ne vuajti e vdiq në kryq, kështu për ne u ngjall e u ringjit në qiell, pranë Hyjit Atë, i cili nuk është më larg nesh, por është Hyji ynë, Ati ynë. Prej këndej, të Shëlbuemit, është akti i fundit i çlirimit tonë nga zgjedha e mëkatit
R.SH. – Vatikan

Kisha katolike e ritit romak kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, festë e cila tek shqiptarët njihet si festa e të Shëlbuemit. Festa e të Shëlbuemit është solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur. Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Jezu Krishtit Zot ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e krishterimit në mbarë botën.
Liturgjia e festës të Të Shëlbuemit na shkëput nga jeta e përditshme, për të na sjell në kundrimin e misterit të Krishtit të vdekur e të Ngjallur. Kështu, Kisha katolike, këtë diele kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që në Vatikan u kremtua të enjten e kaluar, pikërisht 40 ditë pas Pashkëve. Me festën e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e krishterimit në mbarë botën. Siç na njofton Ungjilli, ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” – kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni.

Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur, pra, t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë. Këto fjalë, na kujtojnë domethënien e solemnitetit të të Shëlbuemit. Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit. Na dërgon Shpirtin e tij e na jep shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin që na e ka përgatitur.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Ai na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur çadrën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!

E plotë:

https://www.vaticannews.va/sq/kisha/news/2025-05/fjala-e-zotit-e-dieles-te-te-ngjiturit-te-krishtit-ne-qiell-te.html

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?