Fjalët e fundit të Marias: Do Zoti shkojmë në Gjermani

Maria Sholla kishte dy ëndrra të mëdha.

14-vjeçarja dëshironte të bëhej poete dhe të largohej nga Shqipëria.

Por largimi nga Shqipëria i kushtoi jetën asaj, pasi u mbyt në një lumë në Greqi.

Në një bllok shënimesh ngjyrë blu ajo kishte dokumentuar të gjithë udhëtimin e saj ilegal me prindërit.

Në faqen e fundit të bllokut kishte disa fjali ku fliste për lodhjen dhe tmerrin e përjetuar.

Gjithçka mbyllej me një lutje: “Zoti dashtë të më plotësohet dëshira për shkollë dhe për në Gjermani”.

Ndërkohë nëna e vajzës, Elona Sholla ka rrëfyer udhëtimin e tmerrit.

Familja jeton në gjendje të mjeruar në Ardenicë të Lushnjës.

Prej gjashtë muajsh ata ishin edhe pa drita.

Dy fëmijët e tjerë të çiftit jetojnë prej dy vitesh në Manastirin e Shënavlashit pasi familja nuk i ushqen dot.

Elona tregon për Panoramën se si mbyt vajza.

“Ishte një lumë aty dhe vendosëm që të laheshim sepse kishim tri ditë që vetëm ecnim në gjithë atë vapë. Burri më tha se do të lahej dhe më kërkoi të largoja vajzën. I thashë që vajzën nuk e largoja dot se kisha frikë ta lija vetëm. Unë shkova me vajzën që të laheshim diku ku ishte cekët, sepse nuk dinim not. Vajza ishte e lumtur se nuk ishte larë kurrë, nuk kishte bërë asnjëherë plazh,” thotë Elona.

Por pasi e thirri burri, ajo e la vajzën pak vetëm.

“Nuk po e dëgjoja më, sepse kur ika ajo po këndonte dhe e dëgjoja që nga larg. Fillova ta thërrisja, por pashë që vajza kishte rënë në një gropë në lumë dhe e gjeta përmbys me krahët e hapur. Vajza ishte mbytur dhe e kishte nxjerrë uji sipër”.

Pas një çerek ore aty mbërriti policia, e cila i shoqëroi dhe më pas i kthyen në Shqipëri.

Shqiptarët në Greqi mblodhën rreth 800 euro për varrimin e vajzës.

SHKARKO APP