Fjalori i një akademiku që nuk mundi të shkruhej më parë

Fjalori i një akademiku që nuk mundi të shkruhej më parë

Në promovimin e “Fjalorit leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik të Malësisë së Madhe” të akademikut Gjovalin Shkurtaj

nga Dr.Tonin Çobani

1.

Me Prof.  Gjovalinin – sot Akademik- njihem personalisht qysh kur  nisa studimet në shkollën pedagogjike të Shkodrës: ai në vit të katërt (sot klasa e njëmbëdhjetë), unë në vit të parë (sot klasa e tetë). Ai 18-vjeçar, unë 14. Gjovalini i shkollës së mesme është nxënës me nota maksimale dhe sjellje shembullore, unë, po ashtu, me nota dhe me fizarmonikë pas krahu në orkestrinën e shkollës dhe mbrëmjeve të vallëzimit që organizonte aso kohe shkolla ose konvikti. Këto mbasdreke dëfrimi e rrafshonin diferencën në moshë me më të rriturit, veçanërisht, në rastin tim që isha shpesh herë pjesë e orkestrës së vallëzimit. Për një pedagogjikas të vitit të fundit kohëzgjatja e muzikës së vallëzimit të tij ishte e rëndësishme. Orkestra mund ta zgjaste atë në kohën e duhur për disa minuta ose sekonda. Kaq.

Shpresoj të mos ju kem mërzitur tepër me fizarmonikën time, të cilën, ç’është e vërteta prof. Gjovalinin ma kujtoi, teksa po bisedonim për Fjalorin e tij  (Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe), për promovimin e të cilin jemi mbledhur.

Por ka ndodhur, që, edhe në fakultet, të ishim bashkë: ai në vit të fundit, unë në vit të parë. Kemi qenë bashkë edhe, kur vazhdoja studimet pasuniversitare për kritikë letrare, pranë Akademisë së Arteve: unë student, ai profesor, që na jepte leksionet e kulturës së gjuhës, i gatshëm si gjithmonë për të të ofruar pa rezerva miqësinë e vet.

Ka ndodhur, gjithashtu, që, edhe kur përfundova studimet dhe u caktova mësues letërsie në Lezhë, të më thonë se para meje kishte qenë një mësues që krahas mësimdhënies merrej me të folmen e malësorëve të rrethinave (Bregu i Matës, Ishull Lezhë dhe Ishull Shëngjin): ishte prof. Gjovalini, të cilin, pa u mbushur plotësisht viti, do ta tërhiqnin në Tiranë, si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë pranë ASHSH, sektori i dialektologjisë.

E solla në vëmendje këtë fakt të fundit sepse, ndoshta, shënon fillimin e punës për të folmen e malësorëve të rrethinave të Lezhës (botuar fillimisht te revista lokale, Lissus, 1967/1). Ai studim do të jetë embrioni i një vepre madhore, siç është sot Fjalori, që kemi në dorë, një Fjalor ky, që, përveç të tjerave, vjen i krahasuar edhe me leksikun e Eposit të Kreshnikëve dhe të Gjergj Fishtës (Lahuta e Malcis), prandaj nuk mund të shkruhej për sa kohë Fishta dhe vepra e tij ishin të indeksuara.

Unë besoj se gjuha e malësorëve të Mbishkodrës vjen natyrshëm te Fishta si gjuhë e gjallë (e folur), ashtu si gjuha e Eposit të Kreshnikëve (kthyer në gjuhë të shkruar) prej françeskanëve  Donart Kurti dhe Bernardin Palaj, të cilëve u duhet shtuar edhe gjuha e Kanunit të Lekë Dukagjinit (sipas Gjeçovit). Në vazhdim unë do të duhej të ndalesha disi më gjatë tek e folmja e Malasisë së Madhe, të cilin e gjejmë te Lahuta e Malcis me citimet e autorit të Fjalorit (Gjithsejt: 744 njësi), çfarë dëshmon kujdesin e Fishtës për leksikun e shqipes si thoshte ai vet më 1932 në Piksime estetike  mbi zeje të fjalës: “me prue fjalën me sa ma shumë fuqi, dijení (sapentia) e ndiesi”.

Poeti ynë Kombëtar njihte mjaft mirë edhe fjalorin e përditshëm dhe frazeologjinë popullore (gjuha shqipe e folur), të cilën e përdor me shumë origjinalitet në vargjet e veta liriko-epike e satirike, si dhe në vargjet dramatike e në prozën e tij (kjo tanimë është gjuha shqipe e shkruar). Leksiku i tij autorial asht gjuha e gjallë që i jep jetë mendimit (Kolë Prela, Gjuha e Fishtës, 1943). Shpesh herë lexuesi i atyre teksteve nuk ka qenë në gjendje të diferencojë çfarë është gjuhë  e drejtpërdrejtë nga goja e popullit dhe çfarë është gjuhë e autorit të Lahutës së Malcis. Çabej ka arritur në përfundimin se gjuha e Fishtës, “gjuha kokërr e larg çdo ëmbëlsie së tepruar” është marrë nga populli dhe i është kthyer atij si “një gjuhë letrare” (“literale”):

Shprehja gjuhësore,- shkruan Çabej,- është krejtë e njëllojtë me të folurit e malësorit dhe mund të merret si gjuhë e posaçme e një shtrese luftëtarësh. Kemi të bëjmë këtu me një gjuhë literale të krijuar prej poetit vetë, e cila si e tillë është gjuhë e naltë, por njëkohësisht gjuhë popullore, e njëjtë me gjuhën e përditshme.” (Eqrem Çabej, ‘Epika e Gjergj Fishtës’, 1941(?))

Pa këtë konkluzion të shprehur kaq bindshëm prej Çabej në studimin e tij Epika e Gjergj Fishtës, zor se mund të fitonte vlerat që ka Fjalori i akademikut Gjovalin Shkurtaj, të cilat, vlerësime, premtohen që në shfletim të parë…

 

Sot kemi në tryezat tona të punës një Fjalor të një krahine (Malësia e Madhe), që prej shumë studiuesve është përcaktuar si një trevë me një të folme të vetme, më pak të ndikuar prej fjalëve dhe frazeologjive të huaja. Kjo vjen, kryesisht, në këndvështrimin etnolinguistik. Pra, kemi mbi tryezë Fjalorin leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik të Malësisë së Madhe të akademikut Gjovalin Shkurtaj që i ka kushtuar një jetë të tërë gjuhës shqipe, dialekteve të saj dhe veçanërisht të folmes së Malësisë së Madhe. Fjalori i akademikut Shkurtaj vjen me një vlerë të shtuar, sepse sjell idiomat e Eposit të Kreshnikëve dhe shembullzime nga Lahuta e Malcis,- ka vënë në dukje në pasthënien e veprës profesor Memishaj.

Gjuha e kësaj krahine ka ruajtur deri në ditët tona një origjinalitet të papërsëritshëm. Ajo është përdorur gjerësisht prej Gjergj Fishtës në të gjithë veprën e tij dhe veçanërisht te Lahuta e Malcis. Aq e vërtetë është kjo, sa  ka pasur fishtologë që kanë kërkuar kontaktet e Fishtës me leksikun e Mbishkodrës dhe të rrethinave të Lezhës. Kështu që disa thonë se gjuha malcorisht iu ngulit Fishtës kur shërbente si kapelan në Lezhë (1894-1899) apo famullitar i Gomsiçes (1899 -1902); kur zëvendësonte ndonjë famullitar, si është rasti i i famullitarit të Rrapshit të Hotit (1902) , ku zë fill Lahuta e Malcis (Bleni i parë, botuar në Zadar më 1904/5).

Duke përfunduar, do të doja të sillja në vëmendje me rastin e Fjalorit të Malësisë,  Faik Konicën, i cili te ‘Lahuta…’ e Fishtës vëren një kryevepër të letërsisë shqipe dhe ballkanike. Ai ka thënë: “Kot përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se ‘Lahuta’ e Gjergj Fishtës”. Nga ana tjetër për gjuhën e ‘Lahutës…” (dhe leksikun e saj), ai  ka shkruar: “… muzikaliteti i ritmit të Fishtës dhe koloriti i fjalëve janë të papërkthyeshëm.” (Faik Konica, Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore).

Por jo vetëm për një ekspresivitet të tillë gjuhësor të Fishtës, Fjalori i Malësisë së Madhe i një akademiku nuk mundi të shkruhej më parë dhe, aq më pak, të botohej.

TAGS: GJOVALIN SHKURTAJ, TONIN ÇOBANI, EQREM ÇABEJ, KOLË PRENGA, VALTER MEMISHAJ, FAIK KONICA.

Në foto: Tonin Çobani

 

 

 

 

SHKARKO APP