Flakët tek ish-vila e diktatorit Enver Hoxha, analistët: Autogol i opozitës
Vila në flakë ka provokuar shoqërinë shqiptare. Për studiuesit e shkuara na ndjek nga pas, ndërsa vëmendja ndaj simboleve të diktaturës kthehet përmes dhunës duke u përdorur politikisht nga të gjitha palët në mënyrë të gabuar.
”Të hidhen mjete zjarrvënëse, të ketë dhunë, çdo gjë e tillë duhet që të dënohet. Pjesa e dytë është se kjo vilë nuk është një ndërtesë e zakonshme, por mban kujtesë historike që ka potencialin të shpërthejë. Në gjuhën e një pale politike mund të thuhet që ende vazhdon, që duke djegur, duke dëmtuar këtë simbol, ne e hedhim prapë diktaturën. Por është thjesht një simbol, ne nuk e hodhëm diktaturën as kur rrëzuam statujën 7 metra të lartë të Enver Hoxhës, se mendësia mbeti”, u shpreh studiuesja e kujtesës historike Jonila Godole.
Pikëpyetje ka nëse hedhja e molotovë në drejtim të ish-shtëpisë së Enver Hoxhës ishte një akt i planifikuar apo i rastësishëm?! Për Jonila Godolen duhet të presim mbylljen e hetimit dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, ndërsa për Ergys Mërtirin skenari ishte i përgatitur edhe u shpalos gjatë marshimit, e deklaratat e Sali Berishës pas incidentit janë shfajësime pas presionit të ndërkombëtarëve.
“Veprimet e Berishës janë autogola në portën e tij dhe veprimet e tij vetëm ushqejnë edhe ndihmojnë Edi Ramën. Demonstruesit nuk është se i mori era dhe i çoi te blloku e panë shtëpinë e diktatorit edhe i gënjeu dikush siç thotë Berisha dhe gjuajtën. Duket që kanë shkuar aty me një qëllim. Pjesa tjetër është justifikim pasi kanë kuptuar që ja kanë futur kot. Tregon në një farë mënyrë që PD ka humbur arsyen dhe bën veprime, pasojat e të cilave i llogarit vetëm pasi merr koston. Por edhe nëse nuk e di, ti ke njerëz me të cilët konsultohesh. Çfarë opozite është kjo që nuk ka të qartë se çfarë bën?!”, u shpreh analisti Ergys Mërtiri.
Në analizën e tyre, studiuesit vënë theksin se diskutimi duhet të përqendrohet te trajtimi me seriozitet i historisë, duke i shfrytëzuar objektet e të kaluarës si mësime për të ardhmen. Në thelb të debatit, të gjithë bien në një mëndje në mostolerimin e dhunës dhe rrezikimin e jetës gjatë organizimeve politike. /TCH/
KOHA JONË SONDAZH

