Flamur Noka: Hakmarrje e Ramës ndaj Klevis Balliut dhe banorëve të Unazës së Re

Ish-deputeti Flamur Noka ka qenë bashkë me banorët e Unazës së Re dhe përfaqësues të tjerë të opozitës para Gjykatës së Tiranës ku sot u dha vendimi për lirimin e 10 protestuesve të arrestuar.

Ai deklaroi se kjo është hakmarrja e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ndaj ish-deputetit Klevis Balliu dhe banorëve të Unazës së Re që i prishën aferën. Sipas tij, Rama do e ketë të pamundur të nënshtrojë këta banorë.

“Saga e persekutimit nga ana e qeverisë vazhdon. Fakti që sot jemi të gjithë para gjykatës në pritje të së drejtës së këtyre banorëve tregojnë se hakmarrja e kësaj qeverie dhe Edi Ramës ndaj Klevis Balliut dhe banorëve që i hoqën një aferë korruptive nga duart vazhdon. Me sa duket nuk ka të ndalur kjo hakmarrje. Banorët e Unazës së Re dhe deputeti Balliu përndiqen nga ana tjetër nuk ka asnjë para drejtësisë nga ata që organizuan këtë megavjedhje dhe këtë megaskandal. Sado përpiqet Edi Rama të nënshtrojë banorët e Unazës së Re do ta ketë të pamundur. Kanë kauzën më të drejtë. Protesta e tyre do të vazhdojë, është e ligjshme. Fakti që janë përpjekur t’i akuzojnë për bllokim rrugësh është faji i policisë që nuk ka marrë masa”, deklaroi Noka.

SHKARKO APP