Flamur Noka: Kjo punë ka marrë erë, Rama-Tahiri, përgjegjës për Frroku

Partia Demokratike shton akuzat e saja mbi qeverinë Rama. Kësaj here ka qenë deputeti Flamur Noka i cili për fshehjen e  kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Mark Frroku, bën përgjegjës Saimir Tahirin dhe Edi Rama. Ai shton se: "po merr edhe më shumë erë, kjo punë", dhe përgjegjësit do përgjigjen për këtë akt të rëndë.

"Shefi i Interpolit u kthye në detyrë, pasi gjykata e gjeti jo-përgjegjës për fshehjen e kërkesës së Interpol-Brukselit. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë  Artan Didi,që të mbyllte gojën u dërgua me ngritje në Amerikë nga Edi Rama. Është e qartë, se një dokument i tillë, një kërkesë nga Interpoli për një deputet, mund të fshihej për muaj të tërë vetëm nga Ministri i Brendshëm me bekimin e Kryeministrit", shton Noka në deklaratën e tij.

Sipas deputetit të PD, ky bashkëpunim në krim i Saimir Tahirit dhe Edi Ramës, u bë për deputetin që me dëshminë e tij mbylli hetimin për Ilir Metën, i cili u akuzua nga radhët e vetë mazhorancës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve.

"Skandalet nuk do të mund të mbyllen asnjëherë, pasi Sajmir Tahiri duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën hetimit për këtë rast dhe për të gjitha rastet e tjera të provuara për lidhjet e tij dhe përfshirjen në krim. Dekriminalizimi do të bëhet dhe përgjegjësit e akteve të rënda kriminale do të dalin para ligjit e drejtësisë", ka shtuar Noka.

SHKARKO APP