Ekskluzivisht për “KOHA JONE”, deputeti opozitar Agron Duka: Do votoj një president me integritet dhe përsonalitet, kushdo ta propozojë

Flet ekskluzivisht për “KOHA JONE”, deputeti Agron Duka, kryetar i PAA. Ai prek temat e ditës si zgjedhja e presidentit, aleancën me PD-në dhe shanset e opozitës për të ardhur në pushtet

A do të votoni ditën e shtunë emrin për kandidatin për president që do të sjellë PS?

Agron Duka: PAA është një parti opozitare dhe qëndrimet tona politike, në kuvend dhe jashtë tij, janë në kohezion me forcat politike opozitare. Mëgjithatë, për një çështje madhore siç është zgjedhja e Presidentit të Republikës, ne kemi deklaruar edhe më herët se është shumë e rëndësishme të mësojmë se kush është kandidati. Vendi nuk ka nevojë për një president socialist, demokrat apo pa parti. Vendi ka nevojë për një kryetar shteti, një njeri me integritet dhe personalitet të padiskustueshëm në publik, një figurë që të jetë autoritet zyrtar, i cili të mos flasë thjeshtë dhe vetëm me dekrete, por edhe me qëndrime publike që “ngjisin” në popull. Nëse në parlament vjen një kandidaturë e tillë, ne mendojmë se nuk ka pse të mbetemi peng i pozicioneve politike, por duhet ta mbështesim, pavarësisht se nga vjen propozimi. Dhe unë do të isha i kënaqur t’ia jepja votën një kandidature të tillë. Padyshim që nuk do të votoj nëse PS do të sjellë emrin e një njeriu të afërt të kryeministrit, që ta ketë presidentin si nëpunës të qeverisë.

A keni shpresë se PD-ja do të riorganizohet si një parti politike, ashtu siç ka qenë?

Partitë poplitike janë organizma të gjallë. Ka që jetojnë gjatë, sikurse ka që jetojnë edhe më pak. PD është një parti që lindi në kushtet e lëvizjes që çoi në përmbysjen e regjimit komunist. Lindi si parti antikomuniste. Në shumë vende ish komuniste parti të tilla u ripozicionuan me kohën, në raport me spektrin ideologjik, ose u asimiluan nga koha, si misione të përmbushura. PD nuk hyri në këtë proces transformimi, por u modifikua sipas nevojës. Tashmë ajo po kalon një situatë rindërtimi, apo rikrijimi dhe siç e dimë zoti Berisha ka organizuar strukturat e saj, në një proces zgjedhor që e ka rikthyer atë si kryetar të kësaj partie. Por duhet të jemi realistë, kriza në PD nuk ka përfunduar, derisa kemi edhe zyrtarisht dhe publikusht 2 apo më shumë grupe që pretendojnë se janë PD-ja. Megjithatë për t’iu referuar pyetjes tuaj, unë mendoj se PD ka të gjithë energjitë, kapacitetet njerëzore dhe intelektuale për tu ringritur si forcë e madhe politike dhe e denjë. Kjo kërkon vetëm sjellje prej lidershipi dhe burra shteti të njerëzve që kanë në dorë për të bërë mirë ose keq me sjelljet dhe qëndrimet e tyre.

Në sherrin Berisha- Basha- Alibeaj ju në cilin krah jeni? Apo me asnjerin?

Ne jemi një parti opozitare dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij spektri politik. Ne nuk jemi pozicionuar në përballjen e brendshme në PD, pasi çmojmë se ato janë çështje të brendëshme të kësaj partie. Ne nuk jemi as patericë, as shtojcë e PD-së apo ndonjë partie tjetër. Ne kemi filozofinë tonë, kemi pozicionin tonë politik dhe aleancat i vendosim bazuar në përngjasimet me programet, objektivat dhe strategjitë politike. Në këtë kuadër, ne nuk kemi bërë aleancë as me Berishën, as me Bashën apo me ndonjë tjetër që mund të vijë pas tyre. Ne kemi bërë aleancë me PD-në dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të, pavarësisht se kush është drejtues.

A mendoni se kjo opozitë vjen më në pushtet?

Kështu siç është tani, e çorganizuar dhe pa një pakt mes palëve, padyshim që nuk vjen. Por unë dua të jem i sinqertë deri në fund. Nevoja për një rrotacion qeverisës këtu është shumë e madhe. Qeveria është e zhytur të korrupsion dhe skandalet zënë njëri-tjetrin. Por unë nuk mendoj se opozita duhet të vijë në pushtet meqë duhet të iki qeveria, ose opozita duhet të vijë në pushtet meqë i ka ardhur radha, pasi këta në qeveri e kanë bërë “baltë”.

Opozita duhet të vijë në pushtet nëse e meriton të vijë. Që do të thotë; të ketë një program që i jep fund korrupsionit dhe keqqeverisjes së socialistëve, të ketë ide të qarta se çfarë duhet bërë dhe çfarë do të bëjë me ekonominë, turizmin, bujqësinë, arsimin, shëndetësinë, koncensionet, etj etj. Shqiptarët gjithmonë kanë votuar të sjellin në pushtet një parti, me qëllimin e vetëm që të largojnë qeverinë e korruptuar. Pra, janë mësuar të zëvendësojnë një të keqe të madhe me një më të vogël, sipas tyre. Dhe ja ku jemi sot.

Ndaj këmbëngul se opozita duhet ta meritojë të vijë në pushtet. Ndaj dhe na duhet më shumë punë. Nuk na mjafton fakti se qeveria është e korruptuar, që tu kërkojmë votën shqiptarëve.

SHKARKO APP