Flet gruaja e të arrestuarit për mbetjet e rrezikshme: Punojmë me ndershmëri
Prokuroria është duke bërë verifikimet në lidhje me sasinë e lëndës me rrezikshmeri të lartë të sekuestruar në një traget të ardhur nga Italia në Vlorë. Policia ka gjetur në brendësi të tragetit rreth 40 metër kub lesh xhami që ka përmbajtje të lartë amianti si edhe dhjetë fuçi me mbishkrimin “Eni”. Burime nga prokuroria thanë se ato vinin si produkte për firmën e pastrimit “Delfini 1” administratorja e të cilës gjithashtu është arrestuar. Ka dyshime se një pjesë e lëndës problematike do të dërgohej në pikën e grumbullimit të mbetjeve “Kormuzi”, pronari i të cilës është ndaluar.
Bashkëshortja e tij, Rezina Kornuzi, thotë se pasditen e djeshme, një furgon që transporton mbetjet nga trageti, ka sjellë në pikën e grumbullimit 5 qese të zeza që brenda sipas saj kishin mbetje plastike. Ajo thotë se këtë biznes e kanë familjarisht prej vitit 2017 dhe se nuk i takon atyre të bëjnë analizimet e lëndëve që dalin nga porti, pasi kontrolli siç Rozina Kornuzi thotë, duhet bërë nga autoritetet që në bazë.
“Ne jemi një familje që punojmë me djersën e ballit dhe nuk duam t’i biem në qafë askujt. Jemi të pastër. Ne nuk jemi kimistë për të parë çfarë kanë 5 qeset që kanë ardhur dje këtu. Janë mbetje të riciklueshme por nuk jemi kimistë të analizojmë çfarë komentojnë ata. Qeset i sjell vet furgoni i portit, kompania jonë nuk merret me dokumentacione. Nëse janë të dëmshme për shëndetin e njeriut duhet të bllokohen që në bazë, nuk duhet të dalin fare nga trageti. Ata e ekspozojnë këtë që të mbulojnë gjëra të mëdha. Ne nuk i pranojmë mbetjet e rrezikshme, në licencë na lejohen vetëm mbetje plastike të riciklueshme, metalet. Vijnë 5 qeska të mbyllura nga transporti i furgonit të tragetit, ne nuk dimë se çfarë sjell shoferi në këtë pikë. Ndërkohë që unë e marr e hedh në kosh të plehrave. Mbajmë vetëm materialin që riciklohet”, tha Kornuzi për ”report tv”.
Kornuzi tregon se ka pasur edhe raste kur ka sinjalizuar vetë policinë për lëndë të rrezikshme, ndërsa janë të informuar nga inspektorët mjedisorë për mbetjet që mund të grumbullojnë dhe ato që janë të rrezikshme. Apeli i saj ndaj policisë dhe gjykatës, është të mos sulmojnë një person të pafajshëm. Gjatë operacionit në fjalë janë ndaluar Festim Tafa, 72-vjeçar, kapiteni i tragetit “S.T. Damian”, zv/kapitenin, Kujtim Xhaferllari 65 vjeç banues në Vlorë, drejtori i një agjencie tragetesh, A.B 48 vjeç dhe shoferi i furgonit ku është gjetur një pjesë e vogël lesh xhami, Arbër Çuni 28 vjeç.Në pranga ka rënë dhe administratorja e kompanisë “Delfini 1” Elisabeta Cuni.
KOHA JONË SONDAZH

