Flet pengu Gjeçi: Më ngatëruan, më rrëmbyen dhe më rrahën

 

Klajdi Gjeçi personazh i njohur për policinë u mor peng dhe u dhunua për disa orë mbrëmjen e së premtes në rrugën e Dibrës në kryeqytet.

Blutë e Tiranës arrestuan si autorë të dyshuar të ngjarjes Klejdi Yzeiraj 27 vjeç dhe Martin Seferi 31 vjeç si dhe shpallën në kërkim, Erald Yzeirajn 31 vjeç.

Në shpjegimet e dhëna përpara oficerëve të policisë gjyqësore, Klajdi Gjeçi ka mbrojtur versionin se autorët kishin ngatërruar objektiv dhe se ai nuk kishte njohje me ta.

“Isha me dy shokë dhe po hanim ëmbëlsira pranë Medresesë tek rruga e Dibrës, kur na vjen një makinë BMË, dalin tre persona dhe vijnë direkt tek unë, më godasin me grushta e shkelma dhe më marrin me forcë në mjetin e tyre.

Më çojnë në drejtim të zonës së Freskut ku më gjuajnë sërish. Në një moment unë pata mundësinë tju them se jam Klajdi Gjeçi dhe ata menjëherë ndaluan duke më kërkuar ndjesë se kishin ngatërruar objektiv.

Më hipën në një taksi dhe po më çonin për në shtëpi, në momentin kur na doli policia para. Këta persona unë nuk i njoh më parë”,- ky ka qenë rrëfimi i Gjeçit para uniformave blu.

Dy të arrestuarit Klejdi Yzeiraj dhe Martin Seferi nuk kanë pranuar të japin asnjë shpjegim rreth ngjarjes duke mos mohuar apo pohuar versionin e 27-vjeçarit Gjeçi.

Policia nuk është e bindur rreth versionit të ofruar nga i dëmtuari dhe për këtë arsye po kryen veprime të tjera hetimore lidhur me ngjarjen nën akuzën e veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”./Tv Klan/

SHKARKO APP