Flet për mediat Gjon Cali: Policia na preu në besë, na çoi në duart e Prengës

 

Vëllai i Gjok Calit, pronarit të lokalit në Luginën e Patokut, që u godit me tytë pistolete nga deputeti Armando Prenga, thotë se ngjarja ka ndodhur brenda në Komisariatin e Laçit. Gjon Cali akuzon Policinë se i ka prerë në besë familjen e të afërmit e tij, duke u thënë që do t’i ndihmonte dhe në fund e ka lejuar Armando Prengën që t’i rrahë e t’i plagosë. Në një intervistë Cali tregon detajet e ngjarjes, ashtu siç ia kanë shpjeguar vëllezërit dhe nipat që mbeten të plagosur në Komisariatin e Laçit.

Keni qenë i pranishëm në momentin kur ka ndodhur ngjarja në Patok dhe në Laç?

Jo, nuk kam qenë. Po të kisha qenë atë natë, edhe unë sot ose do të isha i arrestuar, ose në spital i plagosur si vëllezërit e mi. Ose edhe të dyja bashkë.

Çfarë dini rreth ngjarjes, keni marrë vesh se si ka nisur konflikti?

Konfliktin e ka nisur Armando Prenga, te lokali i vëllait tim në Patok. Ai ka kërcënuar fillimisht me armë dy nipat e mi, para se të ndodhte ngjarja. Ata kanë lajmëruar vëllain tim, Gjok Calin, i cili ka shkuar për të sqaruar situatën e është pritur me armë nga Armando Prenga. Ai e ka goditur me tytë pistolete . Policia na preu në besë, na çoi në duart e Prengës .E gjithë kjo është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit që i ka marrë Policia e Prokuroria.

Ju keni biseduar me vëllezërit dhe nipat për rrethanat e ngjarjes, dhe vendin ku ka ndodhur?

Plagosjet kanë ndodhur brenda në Komisariatin e Laçit. Këtë ua them me siguri të plotë. Të dy vëllezërit e mi janë plagosur brenda në Komisariat. Madje, edhe po të shkoni tani do të gjeni gjurmë gjaku aty brenda.

Po nga kamerat e sigurisë së lokalit, çfarë duket?

Nga kamerat duket me zë dhe figurë që ka shkuar deputeti te lokali i vëllait tim në Patok. Ai i ka kërcënuar të dy nipat e mi duke u thënë: “Do t’ju shfaros të gjithëve si fis”. Nga pamjet duket edhe momenti kur vëllai im shkon aty dhe i kërkon shpjegime se përse kishte shkuar aty dhe Armando Prenga shihet që e godet me tytën e pistoletës.

Pas kësaj ngjarjeje besoj është lajmëruar Policia?

Po e kemi marrë 6 herë 129 dhe policët talleshin me ne. Morëm edhe Saimir Tahirin, por nuk na u përgjigj. Ne jemi prerë në besë nga Policia, sepse na thanë që do të na mbrojnë, ndërkohë që na çuan vetë te deputeti për të na rrahur e për të na plagosur.

Pra, në një farë mënyrë, ju po thoni që nuk keni më besim te Policia?

Pavarësisht të gjithave, ne do të vazhdojmë të presim që të bëhet drejtësi. Do të shikojmë se çfarë do vendosë drejtësia.

Në të kundërt, do të bëni vetëgjyqësi?

Do të presim çfarë do të vendosë drejtësia. Sot kemi dorëzuar edhe një shkresë tek Ambasada Amerikane në Tiranë. I kemi kërkuar që të asistojnë gjatë kryerjes së hetimeve sepse kemi dyshime se mund të hetohet ashtu siç duhet kjo ngjarje. Ju e shihni vetë. Të gjithë ata persona që janë plagosur, të afërmit e mi, thonë që janë plagosur brenda Komisariatit nga deputeti Armando Prenga. Ndërsa Policia thotë se ngjarja ka ndodhur jashtë.

Pse nuk ju lënë që të futeni brenda dhe ta shikoni?

Po ne kemi besim se edhe Amerika do të na mbështesë në këtë rast

SHKARKO APP