Flet “Toni”: Akuzat e Doshit, skenar i fëlliqur i lidhur me atentatin ndaj meje në shtator

Fatjon Skënderi (Toni), personi i akuzuar nga Tom Doshi se ishte ndërmjetës i Ilir Metës për të paguar Durim Bamin për vrasjen e tij, ka folur për herë të parë nga Gjermania për këtë çështje. Njeriu që i shpëtoi një atentati më 1 shtator të vitit të shkuar, e ka quajtur këtë histori si një skenar të fëlliqur.

“Me videoregjistrimin e transmetuar në sfondin e të cilit duken Durim Bami nga njëra anë dhe nga ana tjetër z. Tom Doshi që e pyet, jam njohur ditën që u transmetua në Tv  Klan. Jam çuditur dhe jam shokuar për përfshirjen e personit tim aty, si dhe për mënyrën e formulimit të asaj bisede, e cila nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse një intrigë, të cilën unë e hedh poshtë me neveri. Dikujt i interesonte që Toni të vritej. I vdekuri nuk flet dhe merr me vete çfarëdo që t’i hedhësh dhe për këtë u zgjodh edhe videoja. Kanë menduar se Toni i vdekur nuk do fliste më”, ka thënë ai për gazetën Mapo.

Fatjon Skënderaj tregon se ai është larguar nga Shqipëria në fillim të shtatorit, pas atentatit të dështuar në hyrje të autostradës Tiranë – Durrës. Thotë se atentati ishte arsyeja kryesore e largimit.

Ai thotë se e njeh Durim Bamin dhe se është takuar me të pas atentatit, por sqaron se nuk ka lidhje të ngushtë miqësore me të.

“Asnjë lidhje nuk kam unë me këto akuza. Zotin Durim Bami unë e njoh prej disa vitesh, por jo se kam miqësi të vjetër dhe të veçantë me të. Takoheshim rrallë, por pa angazhime reciproke sepse nuk hynte në rrethin tim të ngushtë shoqëror. Për herë të fundit jam takuar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ndaj meje në fillim të muajit shtator. Me videoregjistrimin e transmetuar, në sfondin e së cilës duken Durim Bami nga njëra anë dhe nga ana tjetër z. Tom Doshi që e pyet, jam njohur ditën që u transmetua në Tv Klan. Jam çuditur dhe jam shokuar për përfshirjen e personit tim aty, si dhe për mënyrën e formulimit të asaj bisede, e cila nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse një intrigë të cilën unë e hedh poshtë me neveri.

“Toni” thekson se ai nuk ka biseduar ndonjëherë me Durim Bamin për pazare lekësh, ndaj thotë se pret që të ballafaqohet sa më parë me të, Tom Doshin apo persona të tjerë. Ai tregon edhe lidhjet me personat e tjerë të përmendur nga ministri Tahiri në konferenën për shtyp.

 

"Me z. Agim Rama kam pak njohje, pasi ortaku im, Ylli e ka mik. Z. Agron Kuliçaj nuk e kam takuar asnjëherë, me Prokurorin e Përgjithshëm gjithashtu nuk kam patur asnjëherë kontakte, ndërsa prokurorin Eugen Beci e njoh po nëpërmjet ortakut tim Yllit, me të cilin ai kishte marrëdhënie shoqërie. Z. Ymer Lala e kam shok. Me z. Ilir Meta herën e fundit jam takuar para 10 vjetësh, në vitin 2005 në Kombinat, në periudhën e fushatës elektorale, ku në një takim unë vetëm sa i kam dhënë dorën.

Fatjon Skënderi pranon se ka komunikuar edhe me deputetin Doshi nëpërmjet nipit të tij. I kishte kërkuar të sqaroheshin dhe Doshi kishte pranuar, por i kishte thënë të mos kthehej në Shqipëri pasi nuk i zinte besë ministrit Tahiri dhe policia mund ta ndalonte.

“Me deputetin Tom Doshi jam njohur nëpërmjet nipit të tij, para shumë vitesh. Mund të jem takuar mbase dy herë gjatë kësaj periudhe. Ndërsa me nipat e tij vazhdoj të kem miqësi edhe tani që flasim. Kur pashë videoregjistrimin u shqetësova dhe mora në telefon nipin e Tomës. Ai m’u përgjigj se janë disa thashetheme, por hajde të sqarohemi. I dërgova fjalë Tom Doshit duke i thënë se dua ta takoj burrërisht, por Toma pas disa ditësh më çoi fjalë e më tha mos u kthe, se nuk i zë besë ministrit Tahiri dhe policia do të ndalojë.”

SHKARKO APP