Fleta e votimit më 25 prill, ekspertja: Numrat krijojnë ngatërresa, duhet me emra
Zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, do të kenë një fletë të re votimi. Përveç koalicionit apo subjektit politik, qytetarët do të votojnë edhe për deputetin e preferuar. Komisioni Qendror i Zgjedhje ende nuk ka një vendimmarrje nëse kandidati për deputetë do të identifikohet me numër apo me emër. Edhe në këtë rast, partitë politike janë të ndara. Demokratët kërkojnë që të identifikohen me emër, ndërsa socialistët me numër.
Por ekspertja Gerta Meta, thotë se ”Midis emrit dhe numrit, prevalon emri, sepse ne e dimë shumë mirë që identifikimi i kandidatëve është me emër dhe emri mbahet mend më mirë”. Pasojë e debatit me emër apo me numër është koha që do t’i lihet votuesit për t’u mirinformuar me fletën e re të votimit.
”Fleta e votimit duhet të mos krijojë një lloj hutimi se ku do ta gjej emrin në atë mori të emrave apo edhe të numrave. Duhet ta kemi shumë të lexueshme se kush është subjekti dhe kush është kandidati që unë do të votoj. Grupet që do të votojnë nuk janë të barabartë për sa i përket nivelit të arsimit. Kemi zona rurale, urbane, kemi njerëz që me zor lexojnë, njerëz me aftësi të kufizuar, të gjitha këto janë tregues që partitë politike po lozin. Nuk është ndonjë vështirësi e madhe që partitë politike mos bien dakord që kjo është fleta finale që do tu vijë në ndihmë votuesve”,-tha për ”Vizion Plus”.