Floida Kërpaçi: Në Shqipëri është instaluar sistemi i antivlerave, i miri nuk vlerësohet
Ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi, e ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, u ndal tek fenomeni i largimit masiv të qytetarëve nga Shqipëria, ndërsa për këtë ajo bëri përgjegjës në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin e vendit teska e akuzoi për keqqeverisje në disa fusha.
Ajo tha se kryeministri Edi Rama, ka dështuar në realizmin e detyrave dhe premtimeve që ka artikuluar para qytetarëve në kohë fushatash. Por pse po ikin në mënyrë masive qytetarët shqiptarë, ish-deputetja Kërpaçi tha se shkak për këtë fenomen në rritje është bërë promovimi i anti-vlerave.
“Ne si opozitë kemi marrë përgjegjësitë për të qenë bashkë me ta për të hapur një kapitull të ri ekonomik dhe rikthimin e shpresë te qytetarët. Sot ne duhet të ishim pjesë e Bashkimit Europian, por kjo nuk ndodhi. Kjo qeveri nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe nuk mbajti premtimet as për shëndetësinë dhe as për 300 mijë vende pune. Çdo qeveri ka pasur problemet e saj, dhe nuk ka arritur 100% të rezultatit, por në asnjë moment nuk ka sjell këtë model që solli kjo qeveri. Ne duhet të vendosim në Shqipëri modelin që qytetari të votojë dhe vota e tij të jetë përfaqësuese. Që do të thotë që qytetarët shqiptarë të votojnë për të fituar më i miri dhe jo të devijojë siç është bërë në 2017, pasi vota e tyre nuk u lexua. Në Shqipëri është instaluar sistemi i antivlerave dhe më i miri nuk vlerësohet, pra ata (maxhoranca) thonë se dua këtë model me lidhje të shkurtra dhe kjo ka çuar në rezultatin e largimeve masive nga vendi”-tha ajo.