Fluks në portin e Durrësit, kompanitë kanë shtuar kapacitetet e tyre

Porti i Durrësit po përballet me një fluks të shtuar udhëtarësh dhe automjetesh gjatë këtyre ditëve. Vetëm në 8 ditët e fundit, kanë hyrë në vend 25,477 udhëtarë dhe 7,738 automjete. Janë kryesisht anëtarë të diasporës shqiptare që kthehen për të kaluar festat pranë familjarëve në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe nga shtetas të huaj që kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimesh në vendin tonë.

Për të përballuar këtë fluks udhëtarësh, kompanitë që operojnë linjat detare kanë shtuar kapacitetet e tyre. Tragetet e linjës Durrës-Bari e kthim kanë nisur të kryejnë lundrime të dyfishta gjatë ditës, që nga data 19 dhjetor, ndërsa linja Ankona-Durrës ka shtuar lundrimet mes dy porteve për të plotësuar kërkesën në rritje.

Sipas Kapitanerisë së Portit të Durrësit, autoritetet portuale kanë marrë masa për të shmangur vonesat dhe për të garantuar shërbim efikas për udhëtarët që zgjedhin të lëvizin përmes portit më të madh në vend. I njëjti fluks pritet të vazhdojë edhe në ditët e para të janarit, por në kah të kundërt, pasi emigrantët do të kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

SHKARKO APP