Fluks qytetarësh në dyert e aplikimeve për ID. Shumë ankesa për radhët e shumta

Çdo qytetar që ishte pajisur me kartë identiteti në vitin 2009 këtë vit duhet të pajiset patjetër me një të re.

Edhe në Berat po vijojnë aplikimet për kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike. Të gjithëve ata që u ka mbaruar afati i pasaportave biometrike dhe i kartave të identitetit janë dyndur në zyrat e Aleat për të rinovuar këto mjete identifikimi.

Edhe këtë herë, për të kryer aplikimet në zyrat përkatëse, qytetarët beratas janë ndeshur me fenomenin e radhëve të shumta dhe vonesave në procesin e aplikimeve. Shumë qytetarë kanë ardhur edhe nga jashtë vendit vetëm për të aplikuar dhe marrë dokumentet e reja, të cilat ju nevojiten edhe në shtetet ku jetojnë e punojnë prej vitesh.

Aleati Sofran Group Albania në qytetin e Beratit ofron shërbimet e tij për të kryer aplikimet për kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike në mjediset e godinës së ish-bashkisë së Beratit, por sportelet ku kryhen aplikimet duket se janë të pakta, përsa i përket numrit të punonjësve të kontraktuar për këtë proces, gjë që ka sjellë edhe radhë të panumërta qytetarësh që presin çdo ditë pranë të vetmes zyrë të aplikimeve në Berat.

Qytetarët ankohen se qëndrojnë në radhë për orë të tëra dhe se procesi i aplikimit po bëhet gjithnjë e më i vështirë për ta.

“Kemi orë të tëra që kemi zënë radhën dhe akoma nuk kemi aplikuar dhe akoma nuk e dimë nëse do të aplikojmë sot”, shprehen qytetarët.

Sipas tyre, punohet me vetëm një zyrë, me 5 sportele dhe me shumë pak punonjës. Ata fajësojnë firmën që nuk shton numrin e sporteleve, në mënyrë që të shmangen radhët e shumta dhe aplikimi të bëhet më i lehtë. Sipas qytetarëve, mospajisja në kohë me këto dokumente i penalizon në zyrat e shtetit për të marrë shërbimet e kërkuara dhe pensionet për pensionistët.

SHKARKO APP