Fluksi madh udhëtarësh në portin e Durrësit dhe Vlorës për të ikur në Itali

Foto ilustruese

Është nisur rreth orës 19:00 nga porti detar i Vlorës trageti i linjës Vlorë-Brindisi.

Krahas kamionëve të linjës dhe firmave të transportit është nisur edhe një autobus me 50 pasagjerë të cilët do të shkojnë kryesisht në jug të Italisë.

Trageti pritet të mbërrijë rreth orës 6 të mëngjesit të së mërkurës në portin e Brindisit dhe do të niset serish që andej për në portin e Vlorës.

Në njoftimin e dhënë kompania bën me dije se do të mbërrijë të enjten në mëngjes në portin e Vlorës dhe do të niset sërish në drejtim të Brindisit.

Nga informacionet trageti sot në mëngjes i është nënshtruar dhe dezinfektimit të plotë të tij.

Jashtë kamerës të pyetur pasagjerët  janë shprehur se jetojnë në Itali e sigurisht nuk mund t’i lënë banesat vetëm, por edhe pjesën tjetër të familjes që kanë andej.

Pra personat që udhëtojnë në këto çaste janë kryesisht me banim në Itali.

Ndërkohë, fluks i madh pasagjerësh edhe nga porti i Durrësit në drejtim të qytetit të Barit.

Janë rreth 1440 pasagjerë që po imbarkohen në 2 tragetet e linjës.

Ky numër është rreth 4 fish më i madh se trendi i zakonshëm i udhëtimeve Durrës-Bari.

Mes tyre janë shume që do udhëtonin drejt veriut të Italisë, pasi kishin punën dhe familjet.

Ata kishin planifikuar që të udhëtonin me avionë shumica, por pas mbylljes së aeroportit të Rinasit për fluturime drejt aeroporteve të veriut, ata kishin zgjedhur që të udhëtonin me traget drejt Barit dhe më pas të udhëtonin me autobusë drejt qyteteve të veriut.

Por në mes tyre kishte dhe shumë qytetarë italianë dhe studentë që po ktheheshin në atdheun e tyre.

SHKARKO APP