Flutura Açka për incidentin në Elbasan: Zile alarmi, të merren masa që qytetarët të votojnë të qetë

Kandidatja për deputete, e dyta në listën e Partisë Demokratike në Elbasan, Flutura Açka, ka komentuar sulmin e disa individëve të akuzuar nga kjo parti si pjesëtarë të krimit të organizuar ndaj qytetarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike në festimet për Ditën e Verës.

Sipas Açkës, episodi i një dite më parë ishte tregues i një fushate agresive në Elbasan, ndaj ftoi qeverinë të marrë masa që qytetarët të shkojnë të qetë te kutitë  e votimit.

“U përshkrua si incident por nuk është incident, është tregues që fushata në Elbasan mund të rrëshkasë në zona të rrezikshme prandaj ne na duhet që të jemi krah qytetarëve dhe të bindim qytetarët që në zgjedhje do të shkohet me qetësi dhe madje ti bëjmë thirrje që qeveria të mbajë përgjegjësitë e saj në mënyrë që opozita të respektohet dhe qytetari i lirë të respektohet për të shkuar në kutinë e votimit  i qetë”.

Episode si ato të një dite më parë, theksoi Açka nuk e trembin, por është një këmbanë alarmi e paralajmëruar edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim pak ditë më parë nga Elbasani.

“Pamjet nuk më frikësojnë por janë zile alarmi për këdo që merret me situatat politike, situatat e ruajtjes së rendit, që të kenë parasysh që në këtë qytet duhet të jenë të vëmendshme. Fakti që nga goja e Ambasadores amerikane u deklarua se ky qytet duhet të jetë në vëmendje në fushatë dhe kohën e zgjedhjeve, ditën e votimit, është shumë  e qartë që vëmendja duhet të jetë e shumëfishtë në këtë qytet. Nuk mund ti lihet në dorë kaosit dhe bandave e drejta e çdo qytetari të lirë për të votuar i qetë.”

Ndërkohë kandidatja tjetër, Zheni Gjergji, theksoi se si mjeke synon të shërojë plagët e thella që ka qyteti, por dhe politika në tërësi.

Kandidimi i shkrimtares Flutura Açka në Elbasan u konsiderua surprizë në qarqe të ndryshme.

SHKARKO APP