”Fluturojnë në autostradë”, kufizime për shoferët e rinj
Pothuajse çdo ditë një person ka humbur jetën. Kjo shifër e frikshme e dhënë nga Instat, duhen të bëjë shtetin që të marrë masa para këtij bilanci që për Shqipërinë është bilanc lufte. Muajt e fundit, të rinjë kanë humbur jetën në aksidentet rrugore, pasi lëvizin jashtë çdo norme të lejuar të shpejtësisë. Për të frenuar sadopak këtë fenomen, deputeti i mazhorancës, Arben Pëllumbi pritet të depozitojë një propozim ligjor, i cili prek të gjithë ata drejtues mjetesh të moshës 18 deri në 22-vjeç. Synimi është që këta shofer të rinj të kenë kufizime jo vetëm në përdorimin e mjeteve më fuqi të lartë motorike, por jo vetëm. Kufizimet do të jenë edhe në shpejtësinë me të cilin do të udhëtojnë.
”Meqenëse këta të rinj që sapo marrin patentë nuk janë ende të pjekur mjaftueshëm për të perceptuar rrezikun që i vjen nga shpejtësia, unë mendoj që të bëjmë një kufizim në makinat që ato do të duhet të përdorin. Një 18 apo 20-vjeçar nuk duhet të drejtojë një makinë me fuqi të lartë motorike, e cila ka dhe shpejtësi më të madhe. Nga ana tjetër nëse rruga ka shpejtësinë e lejuar 90 km orë, këta shoferë do të duhet të ecin me 70 km”.
Është menduar që këto kufizime do ti bëhen të ditur drejtuesit të makinës që në momentin që pajiset me patentë. Sipas deputetit, kufizime të tilla zbatohen edhe në vende të tjera të europës të cilat përshtaten sipas problematikave të shtetit. Nisma e deputetit pritet të zyrtarizohet në Kuvend në ditët në vijim dhe parashikon ndërhyrje në Kodin Rrugor.
Jo më pak se disa javë më parë, 3 të rinjë humbën jetën si pasojë e gabimeve zinxhir të cilat nuk nisën te tre adoleshentët dhe nuk mbarojnë tek ta. Nisin nga prindërit që lejojnë të birin t’i jep makinës pa patentë, te restoranti që lejon të miturit të konsumojnë alkool. Te indiferenca e kalimtarëve që panë disa të rinj që garonin në autostradë dhe nuk reaguan. Te policët që duhet të ishin në vendin e duhur dhe kohën e duhur për t’i thënë stop vrapimit drejt fundit pa kthim. Të gjithë kur ndodhin tragjedi të tilla përmendin shtetin dhe me shumë të drejtë, sepse shkelja e rregullave në qarkullim është pothuajse i përditshëm dhe shkelësit arrijnë t’ia hedhin ligjit, diku me njohje diku me para në dorë.