”Fly Ernest” ulet në pistë. Aviacioni Civil tregon çfarë duhet të bëjnë udhëtarët
Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar bën me dije që nga dita e sotme, “Fly Ernest” nuk do të kryejë më asnjë fluturim. “Më datë 10 Janar 2020, AAC u informua se Ernest do të kryente edhe 4 fluturime përgjatë ditës së shtunë të datës 11 janar dhe 8 fluturime të tjera përgjatë të dielës më 12 janar, me një avion me qera. Por, në orën 16:00, Ernest na informon me një tjetër korrespondencë, AAC-në bashkë me autoritetin ukrainas, se i anullon të gjitha fluturimet nga nesër”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar:
Me anë të një tjetër deklarate zyrtare, pas asaj të 29 Dhjetorit 2019, Autoriteti i Aviacioni Civil italian (ENAC), njofton se pezullimi për licencën e kompanisë ajrore “Ernest”, duke filluar nga ora 00:01 të datës 13 Janar 2020, mbetet në fuqi. Sipas ENAC, kompania e fluturimeve “Ernest”, nuk do të jetë në gjendje të kryejë asnjë fluturim dhe transportuesi do të pushojë të gjitha operacionet. Përgjatë këtyre ditëve, Ernest ka kryer disa fluturime me avionë me qera të shkurtër (ditore) nga kompani të tjera, duke pasur dhe probleme me shërbimin e klientit në telefon, email dhe aeroporte. Kjo sjellje jo korrekte e kompanisë ka bërë që shumë pasagjerë të humbasin fluturimet e tyre dhe/ose vonesa me fluturime alternative.
AAC ka monitoruar nga afër situatën dhe ka informuar publikun nëpërmjet deklaratave për media, për mënyrën se si duhet të veprojnë, duke ndjekur udhëzimet e kompanisë dhe autoriteteve italiane. Në këtë kuadër, autoriteti italian u kërkon udhëtarëve që posedojnë një biletë të lëshuar nga “Ernest”, të datës 13 janar 2020 e më tej, të mos shkojnë në aeroport dhe të kontaktojnë kompaninë ajrore për çdo informacion. Sot, më datë 10 Janar 2020, AAC u informua, se Ernest do të kryente edhe 4 fluturime përgjatë ditës së shtunë të datës 11 Janar dhe 8 fluturime të tjera përgjatë të dielës më 12 Janar, me një avion me qera. Por, në orën 16:00, Ernest na informon me një tjetër korrespondencë, AAC-në bashkë me autoritetin ukrainas, se i anullon të gjitha fluturimet nga nesër.
Menjëherë AAC u lidh me drejtuesit e ENAC, të cilët informuan, se edhe ata si autoritet përgjegjës sapo ishin informuar për këtë vendim të Ernest dhe se kompania “i kish garantuar se do të bënte rimbursimet e biletave të shitura”. AAC rekomandon të gjithë pasagjerëve me bileta të prera me Ernest, të konfirmojnë dhe kontaktojnë kompaninë, aeroportin, agjencinë për statusin e fluturimit të tyre para se të nisen për në aeroport. Gjithashtu, të gjithë pasagjerët duhet të bëjnë aplikimin për rimbursim të çmimit të biletës tek faqja zyrtare e kompanisë.
Pezullimi i licencës u lëshua nga ENAC në bazë të dispozitave të Rregullores (KE) nr. 1008 të vitit 2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian. Kujtojmë që qytetarët shqiptarë janë ankuar gjithmonë për mungesën e shërbimit dhe mos korrektesën me këtë linjë ajrore që kanë përdorur më së shumti drejt Italisë, vendi fqinj në të cilin jetonjë dhe punojnë një numër shumë i lartë i emigrantëve shqiptarë. Në një denoncim të disa muajve më parë në redaksinë e Dosja.al, u mësua se qyetarë të grupmoshave të ndryshme, gra, fëmijë dhe të moshuar janë zvarritur me orë të tëra duke pritur në aeroportin e Rinasit për shkak të vonesave.